Gjatë një deklarate për media në Mitrovicë të Veriut, Kallas theksoi rëndësinë e pranisë së saj në këtë zonë të ndjeshme, duke vënë në pah se “atje dëgjohen narrativa të ndryshme” dhe se është thelbësore të kuptohen realitetet nga afër.
“Vizitova gjykatën që funksionon, por që ende po pret kthimin e gjyqtarëve serbë. Gjithashtu bisedova me përfaqësues të shkollave për të kuptuar më mirë situatën dhe për të parë me sytë e mi se çfarë ndodh në këtë pjesë,” deklaroi ajo.
Kallas komentoi edhe situatën e pasigurt që mbizotëron në institucionet në veri të Kosovës pas dorëheqjes masive të serbëve nga strukturat shtetërore në nëntor 2022. Dorëheqjet, që përfshinë policinë, gjyqësorin dhe administratën komunale, u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave, të cilat kërkonte t’i zëvendësonte me ato të Republikës së Kosovës (RKS).
Në një postim në Instagram, Kallas përsëriti qëndrimin e BE-së se “kthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit serb të Kosovës është thelbësor për drejtësinë, stabilitetin dhe bashkëjetesën shumetnike”.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e prezencës ndërkombëtare për të kuptuar më mirë situatën komplekse në veri të Kosovës, ku tensionet etnike vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin normal të institucioneve.
“Është thelbësore të flitet me njerëzit në terren për të parë se çfarë mund të bëjmë më shumë që e ardhmja të jetë e sigurt dhe e begatë për të gjithë në Kosovë,” përfundoi Kallas.
Vizita e saj vjen në një moment kur Bashkimi Evropian po përpiqet të rrisë përpjekjet për stabilitet në rajon dhe për të nxitur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.