Pas paralajmërimit për kallëzim penal nga Presidenti i vendit, ka ardhur edhe reagimi i Kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit.
Dvorani shprehet se ka mësuar nga mediat kallëzimin do të bëjë presidenti kundër tij.
Kreu i KED thotë se ai si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit.
Reagimi i plotë i Dvoranit
“Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje.
Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo.
Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.
Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës.
Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi.”