Nga Artan Fuga
Sapo anoncova titullin e analizës : Përse shkolla ka ftohtë? – pata edhe tri reagime kritike.
Reagimi i parë: edhe në kohën e monizmit nxënësit kishin ftohtë! Po pse nuk e di unë? Po mirë mo do të pranojmë të jemi keq meqë kemi qenë keq?
Pastaj reagimi i dytë : edhe më parë në kohën e qeverive të tjera kështu ka qenë. E çfarë pastaj. Kështu do të vazhdojmë ne që t’ja përcjellim të keqen njeri tjetrit për shekuj duke fajësuar ata që ishin përpara nesh?
Reagimi i tretë : të gjithë kanë ftohtë, edhe në familje, pse merreni me shkollën? Po as në familje nuk duhet të kemi ftohtë ore të uruar, pse merrni mbi vete sakrifica ku në dhomën e gjumit temperaturat janënën zero.Ne nuk jemi njerëz shpellash mo!
Por kur merremi me kallkanizimin e shkollës, nuk duhet të merremi sikur jemi punonjës të administratës të shkollave ose të drejtorisë arsimore. Nuk bëjmë analiza për të gjetur shkrepse për të ndezur zjarrin.
Kallkanizimi i shkollës ka bazë politike. Po, po gjithçka shpjegohet prej politikës dhe nga politika. Nuk e kam thënë unë, e ka thënë Aristoteli, i cili politikën e quante gati shkenca e shkencave dhe arti i arteve.
Pavarësisht se shpesh ajo bëhet më mediokrja e praktikave mediokre që kryen njeriu.
Po përse ky kallkanizim i shkollës?
E para sepse reforma territorriale i dha shkelmin administrimit të territorit nga ana e pushtetit lokal, pra nga njerëzit që jetojnë aty. Bashkia e madhe, ku ka mend e mundësi të merret me ngrohjen e shkollave! Se mos këshilltarët banojnë në fshat! Se mos janë fëmijët e tyre ose të kryesisë që kanë ftohtë si lula të vocërr!
Nuk ka komuna që të kenë përgjegjësinë për ngrohej ne vocrrakëve në klasa sepse komunat u shkrinë. Bashkia jo vetëm nuk të jep dru për t’u ngrohur, por të ve drunë, po të kërkosh dru! Unë kam frikë se tani merren taksat e periferisë të qyteteve dhe të krahinave dhe investohen vetëm në qendrat e qyteteve. Jam i bindur që po t’i hyj edhe statistikisht e provoj. Pra, drutë e shkollave i kanë vjedhur. Prandaj vocrrakët kanë ftohtë.
E dyta, sepse vetë shkolla nuk ndjen presionin e komunitetit të pirndërve. Mësuesit dhe drejtorat varen nga partitë politike dhe nga bashkitë, e njejta gjë, dhe nuk u jepet komunitetit të prindërve kompetenca që kur nuk ka dru për ngrohje t’u vëjë drurin drejtorisë, ose ta ngarkojë drejtorin e shkollës me dru. Shkolla duhet të vendoset nën kontrollin e komunitetit realisht dhe jo sa për propagandë. Kështu, problemi i druve për ngrohje lind mbi një bosshllik politik dhe juridik. Prindërit nuk e kanë kontrollin mbi shkollën.
E treta, sepse ne kemi strategji energjitike të gabuar, madje idiote. Ngrohemi me korrent. Dhe kur bën ftohtë ngelemi pa ngrohje sepse nuk ka energji, sepse kondicionerët ngrijnë, sepse nuk kemi lekë, etj. Kjo sepse kemi urbanizim të gabuar dhe ciliminjtë i kemi përqendruar në zona gjoja urbane që nuk ka të kalojë gomari me dru, kali ngarkuar me shkarpa.
Shkarpa? ik ore tutje arkaik! Arkaik, po! Se kur kam parë e shoh në malësitë e Europës së zhvilluar, mbushur me dëborë, me temperatura dhjetë a pesëmbëdhjetë nën zero që katundet furnizojnë shkollën me dru me slita tërhequr nga qentë, kur nuk kanë gaz a vajguri, çfarë të them !
Ne me gaz e vajguri për shkollat!
Ik ore tutje ne jemi vetëm për energji elektrike të pastër. Tjetër punë që rrrijmë në errësirë me drita fikur.
Mos kesh drita dhe ngrohje – kjo është më shumë turp i madh sesa mundim.
E katërta, sepse reforma e shkollës mbetet e dështuar. Kush po pyet për shkollën. Madje edhe në Damask është bërë shkollë. Edhe nën Kosovën e Millosheviçit shkolla vazhdonte. Prindërit nuk revoltohen se fëmijët qendrojnë pa shkollë. Pesëmbëdhjet ditë të humbura nga jeta e fëmijëve të tyre. E çfarë pastaj! Aman se çfarë humbën? Shkollën! Cfarë mund të bësh me shkollë sot! Dyqanxhi që bën sikur shet! Fatorino autobuzi që i duhet vetëm tabela e mbledhje – shumëzim pjestimeve ! Se mos karriera bëhet me shkollë sot në nëpunësi! Duhen miq, parà, angazhim politik.
Ja përse shkolla është kallkan.
Mos kujtoni se mungojnë drutë!
Edhe drutë mungojnë sepse politikat e mbrapshta i shkatërruan.