Studenti i arrestuar gjatë protestës së opozitës në 21 mars, Mariglen Doçi gjatë një interviste eksluzive për Fax News, ka tregur arsyet e arrestimit dhe më pas të burgimit të tij për një muaj në burgun e Vaqarrit.
Doçi insiston se arsyet e arrestimit të tij janë politike duke u shprehur se arsyeja kryesore ishte pjesmarrja në protestë. Ai tregon se është arrestuar pas shkëputjes së tij nga protesta “nga një “ushtri” prej 20 policësh civil me 3 makina policie dhe 2 furgona të operacionales janë afruar menjëherë për shoqërimin e tim”, shprehet Doçi.
“Arsyeja e arrestimit tim ishte pjesmarrja në protestë dhe faktikisht ishin tre akuzat e ngritura nga prokuroria, pretendonin se unë kam ushtruar akte dhune kundrejt policisë, kam prishur qetësinë dhe rendin publik, si dhe pjesëmarrjen dhe organizimin e tubimeve të paligjshme.
Jam arrestuar diku nga ora 12:00. Unë jam shkëputur me mendimin që të largohem disa momente nga protesta sepse nuk ndjehesha mirë. Në ato momente jam pikasur nga disa civilë të cilët enden gjatë protestave të opozitës që janë edhe personat që nxisin popullin të shtyhen dhe të përplasen me policinë duke krijuar alibi se opozita dhe njerëzit që e përfaqësojnë atë në këto protesta, janë njerëz të dhunshëm dhe vandal.
Në momentin që unë jam larguar vetëm disa metra nga vendi ku zhvillohej protesta, jam arrestuar nga një “ushtri” mund të them civilësh, kanë qenë mbi 20 persona. Në momentin kur unë jam arrestuar, janë afruar me shpejtësi të madhe 3 makina policie dhe 2 furgona të operacionales. Aty u krijua një shoë shumë i madh saqë kur po vështroja, njerzit kishin nxjerrë celularët të filmonin atë çka po ndodhte.”
Doçi shprehet se gjatë arrestimit të tij, është dhunuar psikologjikisht përmes sharjeve dhe fyerjeve, mirëpo ka pasur edhe të tjerë përsona që gjatë qëndrimit në Drejtorinë e Policisë janë dhunuar edhe fizikisht, tha ai. Sipas tij, momenti i arrestimit dhe më pas kryerjes së dënimit ka qenë një ndër momentet më të vështira të jetës së tij të cilin e ka përjetuar keq, por që edhe e ka penguar në vijimin e aktivitetit të tij si student.
Në lidhje me arrestimin e Dorjan Protoduarit, Doçi shprehet se ai “është arrestuar me forcë dhe qëllimisht pas përfundimit të protestës, me pretendimin se Dorjani paska ushtruar dhunë dhe paska goditur institucionet e Drejtorisë së Policisë rreth orës 16:00. Ndërkohë që ai është arrestuar gjatë orës 14:40 dhe në ato momente, Dorjani i bie të ketë qenë i arrestuar që një orë më përpara.” Doçi shprehet po ashtu se ndalimi i Protoduarit dhe masa e dhënë më pas për të, ishte shumë e rëndë.
Në lidhje me lirimin e tij nga burgu, Doçi thotë se: “Ndër arsyet pse unë jam i lirë është shumë normale, nuk ka asnjë provë kompromentuese që vërteton që unë të kem kryer atë ç’ka pretendon prokurori, pra “goditje për shkak të detyrës”. Nga fotografia duket shumë qartë që unë jam 10 ose 15 metra larg nga vija e parë ku ndodhet edhe policia, dhe së dyti unë jam një student dhe duhet të ndjek studimet e mija.”
Doçi shprehet se gjithë zanafilla e telasheve të tij me policinë kishte qenë që me pretestën studentore, ku ai i kishte shkruar një mesazh kryeministrit Rama në what’s app pas publikimit të numrit të këtij të fundit për studentët që të shprehnin shqetësimet e tyre. Ddërkohë që kryeministri i ishte përgjigjur sikurse shprehet ai, me një zhargon rruge ndërsa më vonë policia ka mbërritur në derën e shtëpisë së tij duke arrestuar babain e tij nën preteskstin se ky i fundit kishte kryer një ndërtim pa leje.
Në lidhje me qëllimin e arrestimit të tij, Doçi shprehet se ai ka qenë politik: ”Gjithë qëllimi i ndalimit tim ka qenë politik dhe unë mendoj se vjen drejtëpërdrejtë nga kupola drejtuese e qeverisë, nga kupola e “Rilindjes”.