Si m’i vunë prangat para djalit që qante dhe më mbajtën në hetuesi 9 muaj, që të pranoja se isha spiune ruse. Si më “tradhëtuan” miqtë e mi me dëshmitë në gjygj dhe pse vendosa të mos e braktis burrin tim për të shpëtuar veten.
Dëshmia e rrallë e inxhinieres ruse të naftës, Elena Çami, e cila zgjodhi të mos largohej edhe pas prishjes së Shqipërisë komuniste me Rusinë. Qëndroi pranë burrit e fëmijëve, duke sakrifikuar jetën e saj në burgjet e kampet komuniste të kohës. Bashkëshorti i saj shqiptar Minella Çami, po ashtu inxhiner nafte, u arrestua në valën e arrestimeve për të ashtuquajturin “grupi sabotator i naftës”.
Elena Çami lindi më 22 qershor të vitit 1932, në Moskë, Rusi. Më 21 janar 1976, Gjykata e Lartë e deklaroi fajtore për «krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit» dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Më pas ajo jetoi në internim.
Një jetë e çuar në internim larg dy djemve të saj, të cilët po ashtu vuajtën persekutimin komunist.
Dëshmia e saj nga arkiva e familjes Doko:
Unë kam lindur në Moskë, në vitin 1932. Mbarova gjimnazin, pastaj shkova në universitet për përpunimin e naftës në Moskë. Në vitin 1955, mbarova universitetin edhe erdha në Shqipëri. Gjatë studimeve, u njoha me Minellën dhe u martova në Moskë, në vitin 1954. Ai ka ikur më përpara, unë kam ikur më vonë, se bëri dokumentat. Erdha këtu, fillova punën në drejtorinë e përgjithshme të naftës, në vitin 1955. Kur kam filluar punë, kemi qenë deri në vitin ‘60, në qytetin Stalin, pastaj u trasferuam ne, për të ndihmuar në ndërtimin e Cërrikut, bashkë me Minellën. Nga viti ‘60 deri në ’71-in, kemi qenë në Cërrik, duke punuar me forcat tona që kemi studiuar. Në vitin ’71, Minella u arrestua për agjitacion e propagandë. Përpara se të arrestohej, një javë më përpara, ai kishte bërë një propozim në Ministri për çmimin “Republikë”. Por nuk ja dhanë çmimin “Republikë”, por i dhanë “çmimin” tjetër në burg. Ai u arrestua për agjitacion e propagandë, me 10 vjet burg. Në vitin 1975, kur u arrestua grupi i naftës në Fier, po meqënëse jemi naftëtarë, ai nga Ballshi nga kampi, e arrestuan për të dytën herë. E çuan në Tiranë. Në Tiranë e akuzuan për “Sabotim dhe spiun rus”. Ai nuk pranonte akuzën edhe i thanë: “Nëse nuk pranon akuzën, ne do të arrestojmë Lenën (mua). Ajo patjetër që do thotë atë që keni bërë ju”. Ai nuk pranonte. Pas dy javësh, pa bërë hetuesi, në 14 maj 1975, më arrestojnë mua.
Ju ishit në Cërrik në ato momente?
Po, ne banonim në Cërrik, bashkë me dy fëmijët.
Në çfarë moshe ishin fëmijët?
Në ’75-ën, djali i madh ishte 20 vjeç, sa mbaroi gjimnazin në Cërrik. Ndërsa djali tjetër ishte 18 vjeç. Kur shkova në Ballsh, në muajin Prill, mua më thanë: Minella nuk është në kamp, por do të njoftojmë aty ku është transferuar. Kur ma tha këtë, unë mbeta, se thashë si ka mundësi që ky është transferuar. Pas hetuesisë së parë nga Burreli, e ka transferuar për ndihmës ndërtimi në uzinën e Ballshit. Edhe atje punonte si punëtor, po mendimi i tij jepej si inxhinier. U kthyem prapë në shtëpi ne me djalin. Në 14 maj në mëngjes, vjen policia edhe më arrestojnë në punë.
Ku punoje në atë kohë?
Kur u arrestua Minella, unë punoja si shefe e planit në përpunimin dhe në uzinën e naftës. Pas 3-4 muajsh, më transferojnë si “gruaja e armikut” në Cërrik. Nga konsumi, u transferova në SMT-në e Cërrikut, atje kam punuar llogaritare e thjeshtë. Nuk isha në profesionin tim. Isha në zyrë unë, kur më vijnë dy persona nga dega. Kur i pashë, nuk mendova se do të arrestohesha, se me politikën nuk merresha, as kundër shtetit nuk kam folur asgjëkundi. Kur u bë “grupi i naftës” në fundin e marsit të vitin 1975, u arrestua një shoku jonë i ngushtë, Beqir Alija, ka qenë drejtor i institutit të naftës dhe gazit në Fier. Gruan e kishte ruse, por ajo ka ikur me dy fëmijët, iku në Rusi edhe ka shpëtuar nga burgu. Ndërsa unë e kam dashur dhe nuk u ndava nga bashkëshorti, sepse atë kam zgjedhur si bashkëshort për tërë jetën. Nuk e kisha për të kaluar kohën.
Si ishte momenti i arrestimit?
Kur më erdhën mua në zyrë, më thanë: Do shkojmë në shtëpi, të kontrollojmë shtëpinë. Mua më vinin shumë shpesh gjatë kohës që Minella ishte në hetuesi në Elbasan. Kontrollonin librat, se kërkonin librat kundër pushtetit. Unë nuk kam patur asnjë libër. Deri në vitet ’60, i kam blerë librat rus. Ka patur atëherë dyqane me libra rusë. Pastaj, kur u prishën marëdhëniet, unë nuk kam blerë më. Ata vinin, merrnin, çonin në degë, prapë kontrollonin. Pastaj, i thashë unë: Të lutem shumë, ma jep procesverbalin me datë kur është shtypur libri, që ta gjej unë. Ata më thanë: Sa e zgjuar je ti. Unë i thashë: Ju po kërkoni një libër që unë nuk e kam blerë. E mora me procesverbalin me titull dhe vitet e botimeve të librave. Kur më arrestuan mua nga zyra dhe më sollën në shtëpi, filluan kontrollin. Djali i vogël ishte në gjimnaz viti i 3-të a i 4-t, tek prindërit në Korçë, se unë nuk e përballoja dot jetën. Djali i madh mbaroi gjimnazin dhe filloi në SMT si nxënës. Nga ora 12.00 kishte pushimin dhe erdhi në shtëpi. Kur erdhi në shtëpi, u habit, sepse prapë dega kishte ardhur për kontroll në shtëpinë tonë.
Më tha: Çfarë ka mama? Nuk e di, i thashë, po kontrollojnë librat. I kontrolluan librat, pastaj më thanë: Ke plaçka tek zyra? Unë i thashë: Kam një çantë. Të shkojë dhe ta marrë djali, tha. Shkon djali në zyrë dhe në këtë kohë, më thotë: Ti je e arrestuar si “armike e popullit”. Unë hapa sytë edhe i them: Ju, të gjithë armiqtë e popullit i keni si unë? Ai hetuesi tha: “Ta tregojmë ne.” Kur erdhi djali në shtëpi, i thashë: Alush jam arrestuar si armik i popullit.
Si? – tha ai. Nuk e di, i thashë, asnjë gjë. Kur më vunë prangat mua në duar, ishim në shtëpi brenda: djali, unë dhe dy hetuesit. Për fat të keq, e kemi këtu në Korçë, tani është me pozitë të madhe. E di ai… edhe kur më shikon, ul kokën. Kur më vunë prangat, nuk më harrohet ajo skena… djali u përmbys në divan edhe qante. Djali 20 vjeç. Më tha: Mama ku po shkon ti? Më dërguan në hetuesi në Tiranë. Hetuesia vazhdoi 9 muaj. Minella gjatë kësaj kohe, ishte në hetuesinë e dytë në Tiranë. Hetuesit më thoshin mua: Prano ti, se Minella e pranoi që ishte spiun rus. Unë i thashë: Thirreni këtu Minellën, të më thotë ai mua në sytë tuaj që është spiun rus. Unë nuk e mbështes më dhe ai nuk do të jetë më burri im. Ata nuk e sollën, se nuk ishte e vërtetë. Minellës i thoshin ndryshe, se Elena pranoi, është spiune. Ishte një hetuesi intensive 9 muaj. Pas 9 muajsh, s’kishin ç’të bënin më me mua.
Kush ka qenë hetuesi juaj?
Doleres Vele, hetuesi në Tiranë. Kur mbarova unë hetuesinë, tha hetuesi: Na vjen shumë keq Elen, po s’kemi çtë bëjmë, do të dënohesh.
“Unë e dija që do të dënohesha deri sa hyra këtu, por gabimi juaj nuk shlyhet kurrë”.
Dola në gjyq me një tjetër shoqe ruse, edhe ajo akuzohej me grupin e naftës, që ka punuar në qytetin Stalin. Tani është në Moskë ajo, Ina Shahaj. U dënuam nga 8 vjet. Akuza ishte agjitacion e propagandë.
Patët dëshmitar në gjyq?
Kishim dëshmitarë, po këta dëshmitarët… njëri ishte Llazar Moçka, kompozitori. Sikur kam qenë në plazh, jo sikur… është e vërtetë. Ai ishte kompozitor dhe kishte bërë një pjesë muzikore, edhe më dha mua leje. Unë i thashë: Unë di që për këto veprimtari muzikore paguhet, ne në Rusi kështu e kemi. Kjo ishte dëshmia e Llazar Mockës. Një shoqe të ngushtë, edhe ajo në Cërrik ka jetuar. Edhe asaj burri iu arrestua për agjitacion e propagandë. Ajo nga frika thoshte: Elena nuk është e kënaqur. Tregonte: Më thoshte mua që më përpara qumështi dhe zarzavatet çoheshin tek dera e shtëpisë, ndërsa tani duhet të presim rradhën. Ishte bashkëbisedim me atë. Një, që kam thënë po dhe është politike, e pranova unë. Kur u prishën në 60-ën marrëdhëniet me Rusinë, unë bëra një krahasim dhe e pranoj. Unë krahasova Shqipërinë me elefantin dhe Rusinë me diçka të vogël. Kjo mund të jetë e vetmja shprehje e imja politike, asnjë tjetër.
Pasi morët dënimin, ku shkuat?
Shkova në kampin Kosova, midis Lushnjes dhe Dumresë. Nga burgu i Kosovës dola me amnistinë e Enverit, në vitin 1982. Ishte amnistia e parë.
Çfarë bënin dy djemtë gjatë kohës që ti ishe në burg?
Dy djemtë e mi kanë vuajtur. Kur mbetën ata të dy, shyqyr Zotit i ka përkrahur familja e Minellës, babai dhe mamaja. Djali i madh mbeti pa punë, se në Cërrik nuk jetonte dot. Kur u arrestova unë, ai pas një viti, ka vajtur në ushtri, në Fier dhe Vlorë. Ka vuajtur shumë. E kanë ndjekur hap pas hapi, çfarë bënte, çfarë fliste. Kur mbaroi ushtrinë, nuk u kthye në Cërrik. Të gjithë plaçkat i futi në një dhomë. Nuk kishte ku të jetonte edhe ka shkuar tek prindërit e Minellës, tek gjyshërit. Djali i vogël mbaroi gjimnazin edhe kur kërkonte punë, nuk i jepnin punë. Po të duash, i kishin thënë, puno në ndërtim. Ky pranoi, se pa bukë nuk jetohej dot. Shkon në ndërtim në brigadën me llaç.
Atje, siç thonë, Zoti nuk të lë pa njeri të mirë, ishte Edi Kapshtica, i cili kishte mbaruar gjimnazin bashkë me Minellën. Ka bërë edhe burg. Kur shikon djalin, i thotë: Nga je ti? I thotë: Unë kam lindur në Korçë, por kam jetuar në Cërrik. Po i kujt je ti? I Minella Çamit. Edhe ky shkon i thotë drejtorit: Ose ma vendos mua këtë djalin në brigadën time, ose unë do ta lë çelësin. Unë këtë djalin në baltë, nuk do ta lë. Drejtori tha, meqë Edi ishte specialist i mirë, i tha: Merre në brigadë… edhe ky ka punuar në brigadë me Edin 17 vjet.
Djali tjetër… në ‘76-‘77 ishte prodhimi shumë i lartë në fermën e Drenovës, dhe ky shkon si vullnetar pa para. Kur punonte atje, punonte me gjithë shpirt. Një brigadier i tha: Do të punosh në fermë? – Posi, tha. Hyri në fermë, edhe atje ka punuar 14 vjet.
Pasi dole nga burgu, çfarë pune bëje?
Unë kur dola nga burgu, duhet të punoja 4 vjet si e burgosur. Minella u lirua 1 vit e gjysmë përpara meje. Në Korçë nuk më pranonin për punë. E ka thirrur dega e i ka thënë: Ne e dimë që ti ke qëndruar në kamp, pasi ke dalë të bësh një procesverbal. Çfarë është procesverbali? – i tha. Do punosh me ne. Ai i tha: Në familjen time, spiunë nuk kemi patur, as nuk do të kemi, edhe ja hodhi atë procesverbalin dhe nuk ja firmosi. Atëherë ata filluan të sulmonin Minellën: Ti je rrezik, në kurriz të fëmijëve, po rri këtu në Korçë.
Ishim mamaja edhe 2 femijët e mi. Me pensionin e mamasë edhe me atë pagesë nga ferma, kemi jetuar 1 vit e gjysmë. Kur u lirova unë, kemi vajtur në Cërrik prapë. Minella u fut në brigadën e SMT-së në mirëmbajtje, ndërsa unë në degë-planet, si ekonomiste. Punova 4 vjet, dola në pension, erdha në Korçë. U martua djali i madh me nusen, lindën edhe femijën edhe une u detyrova lashë Minellën atje edhe erdha në Korçë. Minella punoi në Cërrik, derisa doli në pension.
Pas 30 vitesh, unë vajta në Rusi. Kur më pa mamaja… shyqyr zotit e kam gjetur, babai kishte vdekur. Kur hapa derën tha: Bobo sa u plak vajza ime. Kjo ishte fjala e mamasë pasi pa pamjen time të tmerrshme. /kujto.al