Vetingu është një proces që po kontrollohet nga politika, ky ka qenë përfundimi që ka nxjerrë sot në studion e Fax News ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani.
Ai tha se duke i analizuar gjykatësit vetëm në aspektin e pasurisë, po krijohet ideja se në vendin tonë në drejtësi kanë punuar njerëzit më të aftë dhe të drejtë.
Duke iu referuar rastit Dvorani, i cili kaloi sot Vetingun, Manjani tha se ky gjyqtar duhet të kishte ikur nga Gjykata e lartë që prej katër vitesh, pasi i ka mbaruar ligjërisht mandati.
‘’Miku im Ardian Dvorani është një gjyqtar i vjetër, çështja nuk është te Ardiani dhe as te unë. Kushtetuta e ka të qartë se pas 9 vitesh në detyrë gjyqtari duhet të largohet nga detyra, po nuk është faji i Adit që është në vitin e 13-t të mandatit të tij.
Ka një rregull të qartë që ëshrtë ‘’nuk mund të vazhdosh më shumë se 9 vite në Gjykatë’’, të tjerët ikën dhe ky jo.
Ky është një kontroll politik i procesit të Vetingut. Vendimet janë me standarde të dyfishta, për çfarë u bë Vetingu? Për mua qëllimi nuk është që të kemi një ILDKPI të dytë, për mua duhet që të analizoheshin vendimet e tyre gjyqësore.
Se me këtë logjikë i bie që ne kemi pasur gjyqtarët më të drejtë në botë, dhe problem i tyre i vetëm ka qenë pasuria. Shumë prej personave që kanë kaluar Vetingun janë më të pasur se ata që kanë ngelur në Veting.
Duhet të ishin hapur letrat dhe vendimet që kanë marrë gjyqtarët për raste të ndryshme. Ne nuk po marrim përgjigje për rastet e mëdha, që janë marrë në shqyrtim nga këta gjyqtarë, nuk po kuptojmë nëse ata kanë vepruar drejt.
Njerëzit do gëzoheshin më shumë në rast se do të dëgjonin që gjyqtarët janë shkarkuar për një çështje të caktuar, psh nëse Altina Xhoxhaj do hetohej si duhet, atëherë do arrihej në përfundimin se ajo ka qenë shumë strikte në vendimet e saj, merrte vendime ekstremisht pro shetit. Madje më shumë sesa duhet”, tha Manjani.
Më tej duke iu referuar një zgjidhje teknike të këtij ngërçi që ka kapur sistemin e drejtësisë, Manjani tha vetë PS-ja nuk kërkon zgjidhje, sa kohë që përpiqet të fshrhë atë që po ndodh realisht me drejtësinë.
‘’Këtu pikësëpari ka një problem që PS-ja nuk e pranon krizën në të cilën ndodhet drejtësia në vendin tonë, prandaj edhe nuk mund të kemi një tryezë tani afër.
Ka shumë zgjidhje teknike për të dalë nga ngërçi. Shumë shpejt vendi mund të ngelet dhe pa gjykatë të lartë, që mund të cënojë rëndë dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh më tej ish-ministri i drejtësisë.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post