Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për rikonfirmimin në detyrë të Anita Jellës, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.
Jella i është nënshtruar procesit të rivlerësimit ex officio, me përparësi në kohë, si kandidate për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njohur ndryshe si SPAK
Pas rekomandimit të ndërkombëtarëve, Komisioneri Publik del kundër konfirmimit në detyrë të prokurores Jella.
Më herët, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar shkarkimin nga detyra të drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella.
Bëhet e ditur se rekomandimi për ankimimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është bërë për të tria kriteret e rivlerësimit.
“Nisur nga parashikimi i nenit 179/b, pika 5, të Kushtetutës dhe aneksit të saj, konsiderojmë se, ndryshe nga sa disponon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të tria kriteret e rivlerësimit, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, shkruhet në njoftim.
Komisioneri Publik, pasi vlerësoi të drejtë dhe ndan të njëjtin qëndrim me rekomandimin e ONM-së, gjetjen dhe opinionin e vëzhguesit ndërkombëtar, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të mundësojë trajtimin e këtij ankimi me prioritet në kohë, si dhe në zbatim të nenit 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, dhe në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Anita Jella.