Në protestën që zhvilluan sot gra dhe vajza përpara Ministrisë së Shëndetësisë një prej vajzave të pranishme ka treguar dhe historinë e saj të përdhunimit.
Vajza tregon se autori i abuzimit seksual ndaj saj është sot i lirë dhe drejtësia nuk ka vepruar në rastin e saj.
Sipas 17-vjeçares nga qyteti i Beratit dhunimi ka ndodhur kur ajo ka qenë vetëm 12-vjeç, dhe autori jo vetëm që është i lirë po vijon që ta kërcënojë.
‘’Jam përdhunuar në moshën 12-vjeçare, autori është sot i lirë, për çfarë duhet të festoj unë sot?! Sot jam 17-vjeçe, autori më kërcënon sot me jetë, unë sot kam frikë që të dal në rrugë, kam frikë që të shkoj në dyqan”, u shpreh e reja.