Mbarë opinoni publik është indinjuar me rastin e rëndë të ushtrimit të dhunës ndaj një të moshuare në ambientet e azilit në Pejë. Ndonëse tashmë 3 kujdestare ndodhen pas hekurave, ky nuk është një rast i izoluar. Shtëpia e të moshuarve në Fier, shtatorin e vitit 2021 u bë pjesë e një skandali ku dy punonjëse vidhnin ushqimet e të moshuarve.
Ndërkohë një vit më pas situata paraqitet krejt ndryshe pasi stafi aktual po punon maksimalisht për të ndryshuar këtë imazh negative. Sipas drejtoreshës Dorina Gjino, ngjarja në Pejë është e patolerueshme, teksa thekson se institucioni që drejton nuk do lejonte kurrë raste të tilla.
“Kërkesat për azil nga të moshuarit, sa vijnë e po rriten, kapacitetet janë drejt rezaurimit. Është kërkesë edhe e jona që duke parë dhe ambientet, të rriten kapacitetet, është në planet e bashkisë. Do punohet së shpejti për këtë gjë. Ka pasur reagim pas rastit të rëndë, thuajse të gjithë të moshuarit janë kontaktuar nga të afërmit duke i pyetur se si trajtohen, me video call ua mundësojmë ne. Ajo që ka ndodhur është e patolerueshme, sepse këta njerëz i detyrojnë kushtet të vijnë këtu, ajo që ka ndodhur shkakton ndjeshmëri maksimale, sepse këtu të moshuarit duhet të gjejnë jo vetëm shërbimin por edhe dashurinë. Kemi shtuar vigjilencën dhe po punojmë për të rritur frymën bashkëpunuese, si drejtuese kam 6 muaj këtu dhe nuk kam ankesa, sepse kemi një kuti ankesash për të moshuarit”-tha Gjino.
Ndërkohë, të moshuarit e kësaj qendre sociale pohojnë se janë të tronditur shumë nga kjo ngjarje, ndërsa shtojnë se sjellje të tilla nga punonjëset do i denonconin menjëherë.
“Kam dy muaj këtu, jam e kënaqur, me shokë e shoqe. Faleminderit drejtoreshës, psikologes, kuzhinierja e punonjëset që na rrinë gati. Ne dalim pimë kafe bashkë, shkojmë te lulishtja. Kjo është jeta, unë psh luaj domino me burrat, t’i themi fjalën e mirë njëri tjetrit. Më ka vdek djali para dy muajve, më është thy zemra. Edhe prindërit me patën braktis, sytë e mi janë vetëm me lot. S’vjen njeri të më shohë, kam të madhin Zot e këta që punojnë këtu. Më thonë mblidhe mendjen, kam gjet përkrahje këtu”-tha një nga të moshuarat.
E pavarësisht se situata ka ndryshuar rrënjësisht pas skandalit të një viti më parë, sërish familjarët e pleqve në këtë qendër janë vënë në lëvizje duke i kontaktuar vazhdimisht.
Discussion about this post