Detaje të reja mësohen nga pengmarrja e Jak Prengës, dhe më pas vrasja e tij, nga anëtarët e fisit Hajri në Shijak, ngjarje kjo e ndodhur 12 ditë më parë.
Mësohet se kamerat e sigurisë kanë fiksuar makinën e bardhë, me të cilën është kryer rrëmbimi i Prengës, të hyjë brenda resortit “Golden”, në Shijak, ndërsa pak minuta më vonë, shihen katër persona, që tashmë janë të arrestuar, duke nxjerrë trupin e pajetë të 49-vjeçarit nga makina, e kanë mbështjellë me qese dhe e kanë futur brenda një furgoni.
Ky i fundit ka qëndruar për plot 7 orë i parkuar në oborrin e resortit dhe më pas autorët kanë dalë me mjete pune në duar, janë futur në furgon, dhe dyshohet se kanë shkuar për të varrosur pengun.
Ndërkohë, furgoni është rikthyer në resort pas rreth një ore, ndërsa policia dhe familja e Prengës kërkojnë të gjejnë trupin e 49-vjeçarit.
Policia ka dyshime se bëhet fjalë për një organizatë që është bashkimi i dy grupeve të forta kriminale, që kanë pasur si qëllim frikësimin e vëllait të viktimës, i cili dyshohet se kishte përvetësuar një sasi të madhe kokaine.
(E.K/Faxweb.al)