Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Rrugën e Kombit, pranë tunelit të Kalimashit, ku një kamion që transportonte mallra ushqimore dhe pije energjike është përfshirë nga flakët.
Pamje dramatike nga vendngjarja tregojnë mjetin e tonazhit të rëndë të mbuluar nga tymi i zi dhe flakët e fuqishme, të cilat përfshinë fillimisht kabinën e më pas të gjithë ngarkesën e automjetit.
Fatmirësisht, shoferi ka arritur të dalë në kohë nga kamioni dhe ka shpëtuar pa lëndime.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë me shpejtësi forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për disa minuta për të shuar zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve në zonë.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo ndonjë faktor tjetër që mund të ketë çuar në shpërthimin e flakëve.
Ngjarja ka shkaktuar vonesa të përkohshme në qarkullim, por trafiku është normalizuar pas ndërhyrjes së shërbimeve përkatëse.