Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda ka qenë e ftuar sot në emisionin e mëngjesit në Fax News, ku kryeqendra e diskutimit ka qenë lajmi nëse Shqipëria do të kthehet në një vend pritës për ish-luftëtarët e ISIS.
Sipas zëvendësministres që është përgjegjëse dhe për sektorin e emigracionit, nuk ka pasur asnjë negociatë dhe kërkesë lidhur me këtë çështje.
Sipas saj Shqipëria është një vend i vogël dhe një nga problemet më shqetësuese është mungesa e burimeve njerëzore, për të pritur refugjatët.
“Nuk kemi pasur asnjë propozim as nga vendet e BE-së as nga vende të tjera të NATO-s. Jemi shembulli më i mirë i vendeve të rajonit sa i përket rasteve të ekstremizimit fetar, që janë pothuajse zero. Harmonia fetare që ne kemi në vendin tonë është një virtyt dhe oaz paqeje në Ballkanin Perëndimor.
Është vendi më i mirë për të folur për çështjen e ekstremizmit fetar, po jo për të qenë një vend pritës i tyre. Ne nuk kemi mjaftueshëm burime njerëzore për pritjen e një fluksi më të madh të refugjatëve. Ata njerëz kanë nevojë dhe për shërbime, për një trajtim të specializuar, e megjithë këtë ne jemi munduar që këta njerëz të marrin shërbimet bazë jetësore. Flas për refugjatët që tashmë janë strehuar përkohësisht në vendin tonë.
Ministri Xhafaj ka pasur pak kohë më parë një komunikim me homologun e tij austriak dhe i ka bërë atij të ditur që Shqipëria ka nevojë dhe për ndihma ekonomike, në mënyrë që të përballojë këtë fluks, sidomos duke shtuar burimet njerëzore. Nuk jemi vetëm ne që presim refugjatë, vetëm Greqia muajt e fundit i ka hapur dyert rreth 14 mijë refugjatëve, apo çfarë mund të themi për Italinë, ku brigjet e saj dynden me prurje refugjatësh”, tha Voda.
Zëvendësministrja ka pasur një koment të shkurtër dhe për komunitetin muxhahedinë në vendin tonë, teksa u shpreh se qëndrimi i tyre nuk do të jetë i përhershëm në Shqipëri.
‘’Muxhahedinët kanë statusin e mbrojtjes ndërkombëtare, nuk mund të japë një përgjigje të saktë se sa do të qëndrojnë në Shqipëri. Ata nuk duan të qëndrojnë në Shqipëri, e shohin si një vend tranziti për të shkuar drejt Gjermanisë, Francës apo vendeve të tjera të BE-së”, u shpreh zëvendësministrja.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post