Gjykata e Romës ka pezulluar sërish qëndrimin e shtatë emigrantëve në kampin e Gjadrit, duke e kthyer çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, raportojnë mediat italiane. Në orët e ardhshme, emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi që mbërritën të premten e kaluar, do të duhet të largohen nga kampi i Gjadrit.
Pak javë më parë, gjykata urdhëroi kthimin e 12 emigrantëve të parë që mbërritën në Shëngjin. Pas kësaj, qeveria Meloni miratoi një dekret të ri, duke shpallur një listë të re të vendeve që konsiderohen të sigurta. Ideja ishte që, duke qenë se një dekret ka fuqinë e ligjit, kjo listë kishte një ‘peshë’ më të madhe se ajo e mëparshme.
Pak ditë më vonë, Gjykata e Bolonjës e referoi çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, për të pyetur nëse gjyqtarët duhet t’i japin përparësi dekretit të ri apo rregullave të tjera evropiane, të cilat në letër kanë një vlerë më të lartë.
Gjykatat e tjera, si ajo e Katanias, konsideruan se përgjigja ishte tashmë evidente dhe nuk zbatuan drejtpërdrejt dekretin e vendeve të sigurta.