Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe presidenti panamez Jose Raul Mulino ranë dakord në “mbrojtjen “e Kanalit të Panamasë gjatë një bisede telefonike mbrëmjen e djeshme, ndërsa Uashingtoni intensifikon presionin për të kufizuar ndikimin kinez në vendin e Amerikës Qendrore dhe infrastrukturën e tij strategjike.
Hegseth dhe Mulino ranë dakord për fuqinë e marrëdhënieve dypalëshe, gjithashtu dhe për interesat e shumta të sigurisë të përbashkëta midis Shteteve të Bashkuara dhe Panamasë sipas një deklarate nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA.
Të dy udhëheqësit shprehën gjithashtu një angazhim për të zgjeruar bashkëpunimin midis ushtrisë amerikane dhe forcave panameze të sigurisë.
Hegseth pritet të vizitojë Panamanë në prill. Pentagoni nuk specifikoi datën e vizitës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump javët e fundit ka kërcënuar se do të “rimarrë” kontrollin e rrugës së rëndësishme ujore duke pretenduar se kanali ka rënë nën ndikimin e Kinës.
Pas një vizite në Panama nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Mulino u angazhua të mos rinovojë memorandumin për pranimin e vendit në “Rrugën e Re “. Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit njoftoi gjithashtu se anijet ushtarake dhe qeveritare amerikane tani do të mund të kalojnë tranzit përmes kanalit falas.