Pasditen e sotme, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel dolën në një konferencë të përbashëkt për shtyp në Berlin.
Në konferencën për shtyp pas takimit mes dy liderëve, kancelarja Angela Merkel ka bërë thirrje që Kosova të luftojë korrupsionin dhe të ulë papunësinë dhe ka shtuar se dialogu me Serbinë nuk është temë e thjeshtë.
Ajo tha se Gjermania mbetet aleat i fuqishëm i Kosovës duke mbështetur rrugën e saj integruese për në Bashkimin Evropian. Por theksoi se duhet luftuar krimi e korrupsioni.
“Kemi shumë probleme të pazgjidhura por ka edhe përmirësime në rrugën drejt BE’së, dua të theksoj se në Ditën e Evropës kemi shumë sfida para nesh, sfida që na presin e që janë luftimi i korrupsionit, numri i lartë i papunësisë”, ka shtuar ajo në konferencën për media.
“Marrëveshjet e deritanishme me Serbinë duhen të zbatohen”, tha ajo.
Ndërsa nga ana e tij, presidenti Thaçi konferencën ia kushtoi plotësisht dialogut me Serbinë
Presidenti Thaçi tha se takimi me kancelaren Merkel konfirmon marrëdhëniet miqësore në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.
Ai tha se Kosova ndihet e obliguar se si shtet i ri të japë kontribut në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Jetike është edhe normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi, duke shtuar se duhet të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura në mes të dyja vendeve, shkruan Gazeta Express.
“Porosia imë është se ne jemi gati si Kosovë të hapim këtë kapitull, për të bërë hapin vendimtar për dialogun me Serbinë dhe të arrijmë marrëveshje”, tha Presidenti.
Presidenti në konferencë me Merkel para gazetarëve tha se faza përfundimtare e dialogut nuk do të jetë fare e lehtë as për Kosovën dhe as për Serbinë.
Burimi: Express