Arben Pëllumbi, i cili është kandidati i 18-të i Partisë Socialiste për Tiranën, ka zbuluar më tepër për pasionin e tij për politikën, “luftën” mes dy pasioneve të tij dhe detaje nga takimi që ai dhe i ati patën me kryeministrin Rama.
Pjesë e PS-së prej ’91-shit, ai sqaron në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se ka qenë pjesë e kësaj partie prej vitesh, pavarësisht se jo në struktura drejtuese. Arben Pëllumbi tregon se vetëm pas një bisede shoqërore në fillim të 2017-ës, sot është pjesë e listave të kandidatëve.
“Gjatë gjithë këtyre 27 viteve, të dyja pasionet e mia, biznes dhe politikë kanë “luftuar” herë pas here me njëri-tjetrën. Unë kam pasur propozime të ndryshme nga PS, sidomos mbas vitit 2005, por vetëm në fillim vitin 2017, pas një bisede shoqërore me kryeministrin dhe kryetarin e PS-së, z. Edi Rama, sot jam pjesë e listave të kandidatëve për deputetë të PS për qarkun Tiranë. Jam duke punuar në atë që është quajtur dikur komuna Farkë, sot njësi administrative e Bashkisë Tiranë.”
I pyetur për detaje nga takimi dhe foto me Edi Ramë në Kongresin më të fundit, ai ka zbuluar se çfarë kryeministri i tha Servet Pëllumbit:
“Për mua, ai ishte një moment shumë i bukur, që do të ngelet gjatë në kujtesë, edhe pse takimi i të treve ishte i rastësishëm. Kryeministri iu drejtua babait dhe me të qeshur i tha: “Profesor, tani dorëzoja stafetën djalit.”
(XH.A/SHUPLAKA)