Kandidati i Listës Serbe për deputet, Milan Kostiç thyen heshtjen zgjedhore.
Kostiç ka bërë një postim në Facebook ku u bën thirrje qytetarëve të votojnë partinë e tij.
Përveç kësaj ai u ka sugjeruar serbëve edhe numrat e kandidatëve për të cilët duhet të votojnë.
Mesazhi i tij gjithashtu përmbante gjuhë nacionaliste ku shkruhej “të gjithë për Serbinë”.
Me Ligjin e ri sipas nenit 37, “heshtja zgjedhore fillon” nga hapja e Qendrave të Votimit në ora 07:00, e deri në mbylljen e tyre në ora 19:00.
Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Procesi zgjedhor nisi në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.
Kujtojmë se në garë janë 28 subjekte politike, të cilat garojnë me 1280 kandidatë për 120 karriget në Kuvendin e Kosovës.
Rreth 2 milionë shtetas me të drejtë vote në Kosovë kanë të drejtë të zgjedhin se kush do t’i udhëheqë për katër vitet e ardhshme.
104.924 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, ndërkohë që 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.