Butrinti është në rrezik, këtë mesazh ka dashur të përcjellë prej muajsh deputetja Ina Zhupa tek opinioni publik.
Deputetja i është futur betejës, për të mbrojtur këtë Trashëgimi Botërore, për të cilën UNESCO ndër të tjera shkruan në faqen e saj se “monumenti më interesant grek i lashtë, është teatri i cili është ruajtur mjaft mirë”.
Përpos autenticitetit, Butrintit i kanosen dhe rreziqe të tjera. Për këtë arsye është krijuar FMB-ja.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit (FMB), themeluar nga Ministria e Kulturës e Republikës së dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) u krijua për qëllimin e administrimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së zonave të trashëgimisë kulturore të Butrintit. Misioni i tij është të sigurimi i aksesit dhe ofrimi i shërbimeve për publikun, promovimi i aktivitete studimore dhe kërkimore edhe çështje të tjera që lidhen me përdorimin e sitit, qarkullimin në të dhe aktivitetet arkeologjike.
Megjithatë, për Zhupën, FMB është thjesht një OJF dhe sipas saj nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast kemi të bëjmë me një koncesion.
Deputetja i ka bërë kërkesë Gjykatës Kushtetuese, që të gjitha komunikimet që qeveria ka pasur me UNESCO-n të jenë transparente, ndonëse kjo kërkesë është aprovuar, ende nuk janë dorëzuar materialet që përmbajnë komunikimet. Për këtë Zhupa thotë se qeveria është justifikuar me diçka shumë qesharake, ku punonjësja e cila ka mbajtur komunikimet nuk është më në punë dhe si rrjedhojë as emailet.
Kjo është diçka përtej ligjit shprehet deputetja, gjë që provohet dhe nga vetë Fondacioni në njoftimin e për punë për drejtorin ekzekutiv të Fondacionit.
Në një nga detyrat e tij përcaktohet qartë se ai duhet të “përgjigjet për çdo kërkese të ardhur nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore ose UNESCO-s përmes Ministrisë së Kulturës”. Zhupa shpjegon se pse kanë rëndësi këto komunikime, duke ngritur në pikëpyetje respektimin e Konventës së Parisit me të cilën funksion UNESCO dhe nëse e kanë informuar atë mbi Fondacionin dhe profilin e tij. Ndonëse nuk janë sjellë materialet e kërkuara dhe të miratuara nga Gjykata, procesi ka nisur prapë se prapë.
Ina Zhupa: Kishim një seancë në 11 korrik në Gjykatën Kushtetuese, kur pala jonë kishte bërë disa kërkesa sipas procedurës që kërkon procesi, që të kryhet një proces i rregullt, të gjitha palët duhet të kenë të gjitha provat. Kërkesa jonë u miratua nga Gjykata Kushtetuese, e cila më 11 korrik ka marrë një vendim të ndërmjetëm, ku në pikën 1.1 thuhet se të gjithë anëtarët e trupit gjykues kishin votuar që në bazë të kërkesës sonë të silleshin të gjitha materialet për koncesionin e Butrintit, në lidhje me komunikimet e qeverisë shqiptare me UNESCO-n.
Pse ka rëndësi kjo?
Një nga pikat që ne kemi ngritur ka të bëjë me shkeljen e Konventës së Parisit, me të cilën funksionon UNESCO.
Kemi detyrim që të zbatojmë marrëveshjen ndërkombëtarët dhe ligjet të bëhen sipas kësaj marrëveshje. Ne donim të dinim që a e kanë informuar UNESCO-n për këtë fondacion?
A e kanë lajmëruar UNESCO-n se fondacioni për menaxhimin për Butrintin është me shumicë private dhe shteti është minoritar në këtë fondacion?
A e ka informuar UNESCO-n se do të ndërtohen bare?
Për të gjitha këto Këshilli i Ministrave nuk ka sjellë asnjë dokument ndryshe nga çfarë miratoi Gjykata Kushtetuese. Kjo është fshehje e realitetit. Mendoja që Gjykata do t’i qëndronte faktit që nuk mund të niste një proces pa marrë këto prove, ndërsa procesi ka nisur. Bëmë parashtrimet tona në një seancë prej 9 orësh.
Një tjetër hap i habitshëm për deputeten është dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili tregon ajo, me shkrim ka kërkuar rrëzim të ligjit dhe në ditën e seancës, me gojë ndryshoi qëndrim, duke thënë se kanë marrë sigurinë nga Elva Margariti se do të lejohen të bëjnë auditimin. Megjithatë, Zhupa thotë se Gjykata dhet t’i referohet opinionit të tyre me shkrim.
Ina Zhupa: Pika e dytë ishte një zhgënjim dhe surprizë. KLSH është palë subjekt i interesuar me Gjykatën Kushtetuese. Ka marrë ligjin dhe ka sjellë parashtrimet e veta, ku thotë “kërkojmë rrëzimin e ligjit, sepse është cenuar roli i KLSH dhe i Auditimit që duhet të kenë financat publike”. Pa ndryshuar ligji, KLSH ndryshon qëndrim me gojë. Qëndrimi ishte, që “ne kemi pasur një komunikim me ministren Elva Margariti, që na ka garantuar që do të na lejojë për auditim dhe ne kërkojmë nga Gjykata një interpretim pajtues. Në një farë mënyrë, KLSH tha që këto shkelje janë, por meqenëse ministrja na garantoi që mund ta auditojmë, thotë “gjeni ju një rrugë të ndërmjetme”.
Gjykata Kushtetuese besoj do t’i referohet opinionit të tyre me shkrim dhe jo me gojë. Jemi të bindur që qeveria ka pasur komunikim me UNESCO-n, ajo që ata fshehin është kundërshtimi i UNESCO-s ndaj këtij fondacioni dhe fakti që e kanë gënjyer për llojin e fondacionit që do të ndërtojë. I kanë thënë që është publik në vartësinë e Kryeministrit dhe të gjithë ministritë e linjës janë pjesë e këtij autoriteti për Butrintin dhe shtohet vetëm një donator.
Në këtë kuptim janë brenda Konventës së Parisit. Pra këta duke qenë se e kanë gënjyer UNESCO-n nuk mund të sjellin materialet në Kushtetuese. Për të rregulluar këtë gjë unë kam arritur të bëj një tjetër kërkesë. Kemi paguar miliona euro për një sistem si AKSHI që duhet të nxjerrë çdo email. Kanë sjellë një letër ku thonë se është pushuar punonjësja dhe emailet nuk janë më.
Megjithëse, Zhupa nuk ia ka dalë deri tani, që nëpërmjet kërkesave të saj të bëhej transparencë, deputetja thotë se kërkesa tjetër i referohet Gjykatës, ku i kërkon që të në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i marrë komunikimet nga UNESCO. Zhupa ka shumë dyshime dhe bindje mbi Fondacionin, për të cilin shprehet se është kryekëput një OJF i cili i përbërë nga 5 anëtarë, përfshirë vetë Margaritin, i ka hapur rrugën vetes që nga 2018 dhe deri në fazën ku jemi sot. Ajo thotë se janë bërë shumë shkelje dhe se në asnjë vend të botës nuk ekziston që shteti të jetë minoritar në administrimin e një pasurie publike.
“Unë i kërkoj gjykatës që ti drejtohet drejtpërdrejtë UNESCO-s. Ta pyesim drejtpërdrejtë. Kushtetuesja ende nuk është shprehur. Shkresa e parë do të jetë që përgjigjet të vijnë me shkrim. Shkresa e dytë lidhet me zbatimin e vendimit të Kushtetueses. E treta do të jetë më provat që kanë palët dhe nuk janë sjellë në seancë. Kemi kërkuar zëvendësimin si palë e interesuar të fondacionit të menaxhimit të Butrintit me AADF-në. Në Gjykatën Kushtetuese, ka ardhur si palë e interesuar Fondacioni Për Menaxhimin e Butrintit, që nuk është asgjë tjetër vetëm AADF-ja dhe Ministria e Kulturës. Shumicën e ka AADF-ja. Në të gjithë procesin, AADF-ja është pjesë integrale. Në 2018 thoshte që pasuritë kombëtare mund të jepen me koncesion. AADF bëri planin për menaxhimin e Butrintit që ta merrte vetë. Në konflikt të pastër interesi qep një kostum për veten e saj. Fondacioni është një OJF e regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ku dhe Elva Margariti rezulton si anëtare. Kjo OJF me 5 individë privat ku vetëm një ka funksion publik, mori miratimin e parlamentit. Sot kemi akses të plotë në marrëveshje. Kjo ka nisur me një marrëveshje sekrete, është bërë një konflikt jo vetëm verbal ne Komisionin e Edukimit dhe më pas ka qenë një vendim i Konferencës së Kryetarëve duke e zhveshur nga sekretet. Sot i kemi të gjitha elementet të qarta. Nuk ka asnjë dyshim që është një koncesion. Nuk ka asnjë dyshim, që nuk është marrë asnjë studiues shqiptar. Nuk ka asnjë dyshim se nuk janë bërë konsultime publike. Është eliminuar bashkia e Sarandës, një tjetër shkelje kjo. Ky është një model që nuk ekziston në asnjë vend të botës, ku shteti është minoritar në një investim të pasurisë publike.”-u shpreh Zhupa.
(Xh.H/FaxWeb.al)