Pa kaluar akoma ethet e tërmeteve të fuqishme që tronditën vendin, Tirana është pushtuar nga reshjet e dendura të shiut shoqëruar nga murmurima të forta dhe erë.
Ka mjaftuar mbi një orë shi dhe rrugët e kryqytetit janë përmbytur nga reshjet e dendura të shiut. Më problematike paraqitet gjendja në zonën e “Bon Boskos”, ku mjetet hasin vështirësit të madhe në qarkullim, ndërkohë që uji i ka kaluar disa centimetra.
Po ashtu edhe në afërsi të shkollës Sabaudin Gabrani, rrugët janë përmbytur nga shiu. Uji ka vërshuar në banesa si edhe në dyqanët e katit të parë.
Ndërkaq kryebashkiaku Veliaj ka bërë thirrje për sa më shumë kujdes. Në një postim në rrjetin social Facebook, Veliaj i drejtohet qytetarëve për të minimizuar lëvizjet me makina në rrugët e Tiranës, për shkak se era dhe shiu kanë rrëzuar disa pemë. Po kështu pusetat duket se janë jashtë kontrollit.
“Në rast rreziku/nevoje telefononi 112 ? – thuhet në njoftim.
Reshjet e shiut në formën e shtrëngatave e stuhive po ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetet Tiranë, Lezhë, Elbasan.
Sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në qytetin Lezhës me 53.0 mm, Shkodrës me 26.0mm, Tiranës 20.0mm.
Reshjet fillimisht kanë nisur në Lezhë, Elbasan dhe qytete të tjera të vendit dhe së fundmi kanë mbërthyer edhe kryeqytetin.
Theksojmë se siç kemi raportuar edhe më herët, në Lezhë disa rrugë u bllukuan dhe makinat mbetën në ujë.
(M.Q/Faxweb.al)