Deputeti Gazment Bardhi i është rikthyer edhe një herë situatës sot në Kuvend, kur deputeti Agron Shehaj bllokoi për orë foltoren për shkak të mos kryerjes së interpelancës së kërkuar me zv.kryeministren Balluku.
Sipas tij, interpelanca e mbajtur nga deputetja Elda Hoti më 12 shtator ka pasur të njëjtin subjekt dhe, bazuar në rregulloren parlamentare, nuk duhej të ishte lejuar një debat i përsëritur brenda të njëjtit sesion.
Bardhi kritikoi ashpër mënyrën e menaxhimit të seancës, duke theksuar se ajo është mbajtur “peng për 4 orë” për një çështje të konsumuar, gjë që ka shkaktuar situata qesharake në sallë.
‘Një deputet tentoi të pengonte fjalën e deputetëve të opozitës. Në 12 shtator Elda Hoti ka mbajtur një interpelancë me të njëjtin subjekt. Dhe kryetari duhet ti refuzojë interpelancat me të njëjtin objekt brenda një sesioni parlamentar. Keni 5 seanca që sillni këtë çështje për diskutim e ridiskutim, deri sa e çuat në keqpërdorje që mbajti 4 orë peng seancën sot. Nuk respektoni rregulloren sepse doni të krijoni në sallë situate qesharake’, thotë Bardhi.