Në Kakavijë janë kapur 39 kilogramë drogë e dyshuar Cannabis Sativa.
Mësohet se droga po transportohej nga 3 persona të cilët janë larguar nga vendngjarja duke përfituar nga terreni i pyllëzuar. Droga ishte e vendosur në dy çanta.
DETAJE:
Më datë 20.06.2017, punonjësit e Policisë Kufitare Kakavije gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër mbi fshatin Kakavije, në rrugën drejt liqenit të këtij fshati kanë konstatuar 3 persona, dy prej të cilëve transportonin dy çanta shpine ku dyshohej se brenda tyre kishte lëndë narkotike.
Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të këtyre personave, ku u është bërë thirrje për të ndaluar.
Por të tre shtetasit duke përfituar nga terreni i thyer dhe i pyllëzuar kanë mundur të largohen duke braktisur dy çantat.
Në brendësi të çantave kishte lëndë narkotike si ajo e llojit Cannabis Sattiva, pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 39 kg.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia Kufitare në badhkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Gjirokastër po punojnë për identifikimin dhe kapjen e këtyre personave.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për hetim të mëtejshëm, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. (J.V/Shuplaka)