Ditën e djehsme në Krujë, në vendin e quajtur “Guri i Kuq”, në pyllin e fshatit Barkanesh, janë sekuestruar nga policia 68.3 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa e futur në 3 fuçi palstike dhe një sërë municionesh ushtarake. Policia po punon për identifikimin e autorëve.
DETAJE:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës së tyre të pandërprerë për goditjen e rasteve të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, brenda pak orësh kanë finalizuar një tjetër operacion.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative është finalizuar me sukses operacioni i koduar”Shkembi i Kuq”.
Më datë 25.09.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Guri i Kuq” , në pyllin e fshatit Barkanesh, Krujë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: •3 fuçi plastike brenda të cilave janë gjetur 15 thasë plasmasi me peshë rreth 68.3 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa;
• një kavanoz qelqi (i gjetur brenda një thesi) i mbushur me farëra të dyshuara të llojit Cannabis Sativa me peshë rreth 408 gr; •2 kallëpë tritoli me peshë 100 gr secili; • 1 granatë offensive; •1 ndezëz unifikues granate; •1 armë gjysëm automatike mod 56; • 283 copë fishekë mod 63 dhe fishekë luftarakë të kalibrit 7.62 mm; • 1 krehër për armë automatike, mod 7.62 mm.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar në nenet 283/1 dhe 278/3 të Kodit Penal. (J.V/Shuplaka)
Discussion about this post