Sekretari për çështjet ligjore i Partisë Demokratike, Çlirim Gjata ka mbajtur pak minuta më parë një komunikat për gazetarët për zbardhjen e detajeve të asaj çfarë ka ndodhur me arrestimin e Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapit.
Sipas Gjatës ajo çka ndodhi ishte e tmerrshme, ndërsa Dollapi u dhunua nga policia dhe një nga arsyet pse është detyruar të vraponte kanë qenë pikërisht britmat “Kapeni, mbyteni” nga ana e këtyre të fundit.
“Dëmtimet që ndodhën dje, ishin të rënda. Megjithëse ishte në gjendje të rëndë zoti Dollapi vijonte ende të komunikonte me njerëzit madje bënte dhe humor.
Së dyti doja të thoja se situata e mbrëmshme ishte tepër e vështirë. Mbi një orë është zoti Dollapi është mbajtur i arrestuar në polici dhe vetëm pasi çështja u bë mediatike, ai u soll me 4 makina policie për trajtim. Madje kanë qenë rreth 50 policë që qëndronin tek dera e spitalit për të mos e lejuar të ikte, të cilët u tërhoqën më pas nga Drejtoria e Policisë vetëm pas vizitës së Avokates së Popullit.
Kjo është një situatë e tmerrshme…
E rëndësishme është që zoti Dollapi dje ka bërë një punë titanike për të mbajtur nën kontroll njerëzit si dhe ka ndihmuar një gazetare e cila ishte toksifikuar nga gazi lotsjellës së bashku me kameramanin e saj.”- u shpreh Gjata.
I pyetur nga gazetarët se pse vrapoi kur iu afrua policia, Gjata përgjigjet se: “Arrestoheni, mbyteni!! Këto kanë qenë britmat e dëgjuara nga policia, prandaj edhe u largua.”