Sekuestrohen 23 kg heroinë dhe 2 kg kokainë nga pala greke në Kapshticë. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta greke “Protothema”, e cila raporton sot se bëhet fjalë për një linjë trafiku turko-shqiptare.
Gjatë aksionit, është ndaluar nga policia greke një automjet, me drejtues shtetasin turk, Enver Celen, dhe pasagjere një shtetase shqiptare 32 vjeçe. Gjatë kontrollit fizik, shqiptares i janë gjetur dy pako me 2 kg 100 gram kokainë.
Ndërsa në bagazhin e mjetit janë gjetur dhe sekuestruar dy çanta, që përmbanin njëra 11 kg 335 gram heroinë dhe tjetra 11 kg 668 gram heroinë. Brenda në mjet është gjetur 1 Iphone i vjedhur dhe 400 euro. Rezulton se ndaj shtetasit turk ka urdhër arresti nga Prokuroria e Stambollit për “pjesëmarrje në organizatë terroriste”, konkretisht atë kurde PKK-KCK.
Siç raporton media greke, avokatja e shtetasit turk, Anthoula Anasoglou, është shprehur se “Klienti im, i përndjekur nga regjimi i Erdogan, u largua për në Greqi për të gjetur strehim. Fatkeqësisht lidhja e gabuar me një grua, e përfshirë në trafik droge, e çoi në arrestim. Ai ka rënë në kurthin e fjalëve të një vajze. Megjithatë, besoj se gjetjet objektive si kamera, konfidencialiteti etj., do të zbulojnë të vërtetën e plotë”.