Një 30-vjeçar është ndaluar nga forcat e policisë së Durrësit pasi u kap në flagrancë me sasi të konsiderueshme parash në afërsi të qendrave të votimit. Ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit me iniciale B. K. 30 vjeç, banues në Krujë.
Ai u kap teksa po shpërndante vlera monetare. Mësohet se iu gjetën 4 milionë lekë, para që do ia shpërndante anëtarëve të Komisioneve të Vëzhguesve.
Dyshohet se 30-vjeçari është simpatizant i Partisë Demokratike, i cili u kap pas konfliktit me një tjetër simpatizant të një partie kundërshtare.
Detaje të policisë:
Specialistët e Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës filluan procedimin penal në ngarkim të shtetasit:
• B.K. 30 vjeç, banues në Krujë.
Më datë 24.06.2017, në fshatin Zezë, Krujë, pas një konflikti midis disa simpatizantëve të dy subjekteve politike, për motivin se shtetasi B. K. po shpërndante vlera monetare tek persona të ndryshëm, anëtarë të komisioneve, vëzhguesve të subjekteve politik që aderon.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasit të mësipërm iu gjet dhe sekuestrua shuma prej 400.000 lekë (të reja).
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit:
• R. RR., 23 vjeç, banues në Krujë.
R.RR. dyshohet se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, të paidentifikuar, kanë kanosur me fjalë, goditur me grushte dhe kërcënuar me armë zjarri, shtetasin B.K.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale:
• “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” në ngarkim të shtetasit B.K.
• “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit R.RR.
(XH.A/SHUPLAKA)