Policia financiare italiane ka sekuestruar natën e 17 majit një gomone me 2.2 tonë marijuanë e ardhur nga Shqipëria me vlerë tregu rreth 20 milionë euro. Sekuestrimi i lëndës narkotike është bërë në bregdetin e komunës së Garganos në rajonin e Puglias, në plazhin Vico del Gargano.
Sipas policisë italiane kanë identifikuar gomonen e ngarkuar më thasë të mëdhenj plastikë e braktisur mes shkëmbinjve rreth 15 metra larg nga bregdeti. Po kështu në bordin e saj janë gjetur 57 pako me marijuanë me peshë totale rreth 2.2 tonë. Gomonia është e gjatë 8 metra dhe e pajisur me dy motorra të fuqishëm prej 200 kauj fuqi jashtë bordit.
Autoritetet italiane po bashkëpunojnë me policinë shqiptare për identifikimin e përgjegjësve të këtij trafiku droge pasi ende nuk janë kapur. (J.V/Shuplaka)