Një sasi e konsiderueshme lëndë shpërthyese, tritol, është kapur pak më parë në një aksion të zhvilluar nga Policia e Lezhës dhe është bërë i mundur vënia në pranga e poseduesit të saj.
Aksioni i bluve është zhvilluar në Manati të Lezhës, ndërsa raportohet se në pranga ka rënë shtetasi Marjan Përgjoni, me arsim 9 klasë, i cili dyshohet se është edhe poseduesi i kësaj sasie.
Raportohet se këtij shtetasi, gjatë kontrollit në banesë, i është gjetur një sasi lëndë plasëse me peshë 625 gr, të cilën e mbante pa leje.
Ndërkohë, vijojnë hetimet nga ana e policisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbulimin e personave të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Lezhë / Iu gjet lëndë plasëse në banesë, vihet në pranga 36-vjeçari.
Sekuestrohet sasia e lëndës plasëse.
Në vijim të kontrolleve të ushtruara në gjithë qarkun Lezhë ,me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje apo lëndëve plasëse, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në rrugën dytësore në fshatin Manati, Lezhë, një shtetas mbante në banesën e tij, lëndë plasëse, gati për t’a shitur, nga shërbimet e Policisë Lezhë u organizua puna dhe si rezultat u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit M. P., 36 vjeç, banues në Manati, Lezhë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të dyshuar me lëndë plasëse. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.