Autoritetet policore italiane kanë vënë nën prang një shqiptar me akuzën e trafikut të drogës tip kokainë.
Në banesën e tij, në komunën Castegnato, u gjetën mbi 8 kg kokainë e konfeksionuar në 7 pako nga 1 kg. Ndërsa 1.4 kg të tjera u gjetën në një qese me 6 pako të vogla gati për tregtim.
Shqiptari kishte vetëm pak kohë që kishte mbërritur në Itali e ishte nën vëzhgimin e autoriteteve policore italiane.
Sipas mediave italiane, antidroga e Breshës ishte sinjalizuar për praninë e një furnizuesi të ri droge në territorin e tyre e që kishte në dispozicion një sasi të madhe kokaine të cilësisë mjaft të pastër në tregjet ilegale të zonës
Gjatë kontrollit në banesën e shqiptarit u gjetën dhe një pistoletë e mbushur e kalibrit 9×9 me 8 fishekë, 4400 euro e dy peshore që përodreshin për tregtimin e kokainës.
Dyshohet se shqiptari është një trafikant i nivelit të lartë me lidhje direkte me narkotrafikantët përtej Atlantiku.
Ndaj tij është ekzekutuar urdhëri i arrestimit në burgun Canton Mombello e hetimet e antidrogës italiane vazhdojnë.
(E.H/Faxweb.al)