Mbrëmjen e sotme pas rreth një orë ndjekje nga ana e Policisë Kufitare u bë e mundur bllokimi i një gomoneje në Zvërnec. Gomonia sipas informacioneve ishte e gjatë 5,3 metra.
Nga të dhënat paraprake mësohet se 4 km larg vendit ku u kap mjeti i lundrimit u gjet dhe lëndë narkotike. Kanabisi bëhet me dije se kishte destinacion Italinë. Trafikantët po planifikonin që të merrnin kanabisin që kishin fshehur në ferra por pas pikasjes nga policia dhe ndjekjes në det kanë braktisur gomonen e cila ngeci në cekëtinë.
Bëhet e ditur se droga është kapur në afërsi të Dalanit.
Sasia e drogës thuhet të jetë e konsiderueshme por akoma nuk jepen të dhëna më të hollësishme.
Deri tani mësohet se në gomone kanë qenë dy persona, identiteti i të cilëve akoma nuk bëhet i ditur. Dy trafikantët janë arratisur me vrap duke përfituar nga errësira.
Burime nga Policia bëjnë me dije se të dyshuarit prej një muaj ishin në hetim dhe se ky ishte një megaoperacion.
(M.D/ Shuplaka)