Një video ku shihej një shitës teksa kapte për xhakete një të moshuar pasi mendoi se i kishte marrë disa kokrra limonë pa paguar dhe që më pas u tërhoq pasi kuptoi që ishte gabim, bëri xhiron e rrjetit ditën e djeshme duke marrë mijëra reagime.
Gjatë ditës së sotme në një njoftim në Twitter kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se subjektit i është hequr licenca për tregtim dhe se në këtë sfidë të jashtëzakonshme të kryeqytetit nuk duhet të humbim humanizmin.
“Kryeqyteti po kalon një sfidë të jashtëzakonshme, por kjo NUK është arsye që të humbasim njerëzillëkun e të vëmë fitimin para humanizmit! Subjektit GK, ku u dhunua i moshuari dje, IU HOQ LEJA E HAPËSIRËS – le të rrijë në karantinë disa kohë sa të rifitojë”, shkruan Veliaj.
Shqipëria dhe e gjithë bota kanë ‘ndalur hapin’ pas shpalljes së pandemisë së COVID 19, një virus i cili ka shkaktuar deri më tani mijëra viktima, ndërsa në vendin tonë qytetarët dhe një pjesë e mirë institucioneve dhe aktiviteteve tregtare janë mbyllur për shkak të kufizimeve të nevojshme për ndalimin e përhapjes së tij.
Në Shqipëri sot u shënua viktima e 4-ët, ndërsa një person i moshës 61 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë. Të infektuar janë zyrtarisht 89 persona.
Discussion about this post