Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka reaguar me anë të një njoftimi në Twitter, duke përgëzuar Policinë e Shtetit për operacionin që u zhvillua sot në Durrës ku u sekuestruan 316 kg kokainë.
Xhafaj gjithashtu ka sqaruar dhe ‘përplasjen’ me kryeministrin Rama i cili ndryshe nga Xhafaj, tha se operacioni është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane.
“Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta.” shkruan më tej Xhafaj.
Postimi i plotë
Një super operacion i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore.
Falenderim dhe mirënjohje të thellë për punonjësit e policisë te përfshirë në këtë operacion, si dhe për përfaqësuesit e agjencive të tjera qeveritare ligj zbatuese që u bënë pjesë e tij. Inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë.
Roli udhëheqës dhe ekzekutues i Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni është
KONFIRMIM i aftësisë zbuluese dhe investiguese në rritje të Policisë së Shtetit dhe
vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar.
Keqardhje e madhe jo vetëm si Ministër, por edhe si qytetar i këtij vendi, për reagimet
komplet absurde e kundër produktive, si dhe çdo për trillim të papërgjegjshëm të atyre që kurrë nuk thanë një fjalë të mirë për policinë.
Kam shpresë se Prokuroria, e cila tani ka kompetencën e hetimit do të jetë në lartësinë e
detyrës për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale
edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje.
Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta.
Faleminderit qytetarëve dhe partnerëve për inkurajimin dhe mbështetjen që po i japin
Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për çfarë ne jemi duke bërë. Mirënjohje për gjithçka!
(M.Q/Faxweb)