Transparency International në raportin e publikuar së fundmi për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë thekson se kapja e shtetit po pasuron politikanët dhe rrjetet e tyre me koston e rëndë të qytetarëve të zakonshëm.
Po ashtu në raport theksohet se po shkatërrohet besimi i publikut tek institucionet qeveritare, pasi ato gjithnjë e më shumë po përdoren për t’i shërbyer interesave private.
Ky raport i IT ekzaminon dy faktorë kryesorë që mundësojnë kapjen e shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi: mosndëshkimi për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ligjet e bëra personalisht.
Raporti jep pasqyrë se si gjyqësori në mënyrë joefektive trajton korrupsionin e madh dhe korrupsionin tjetër nga zyrtarë të nivelit të lartë. Ai gjithashtu tregon se si ky problem dhe ndikimi i panevojshëm në vendim-marrjen në shërbim të interesave private ndihmojnë për të arritur dhe ruajtur kapjen e shtetit.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, që ndalet tek korrupsioni në Shqipëri.
Përmes një reagimi, demokratja thekson se Shqipëria është me plot gojën në listën e zezë të korrupsionit, ndërsa thekson se qeverisja bëhet nga grupe kriminale të strukturuara. Sipas Tabakut, nga ky model kriminal do të shkëputemi më 25 prill.
Reagimi i plotë: Transparency International: Shqipëria korrupsion alarmant në nivelin e kapjes së shtetit!
Shqipëria është me plot gojën në listën e zezë të korrupsionit, ky është një konstatim jo veç I opozitës por edhe i një raporti të dedikuar të TI, një institucioni të specializuar për korrupsioin.
Sot qeverisja bëhet nga grupe kriminale të strukturuara, sot ligjet shkruhen e kalohen nga interesa të ngushta klienteliste dhe sot interesat kriminale vendosin për ndarje tenderash e koncesionesh.
Raporti vlereson se raste si ai i Vangjush Dakos që ka përfshirë grupe kriminale në blerje votash, ai i Tahirit me përfshirjen me trafikun ndërkombëtar të drogës, rasti i ligjit te lojerave te fatit ku qeveria mbështeti qartësisht grupet kriminale dhe favorizoi klientët e saj janë shembuj të qartë të kapjes së shtetit.
Në raport përmenden dhe rasti i rrugës Milot-Balldren të cilën e ka denoncuar dhe opozita. Një rast flagrant ku kostot janë 3 fishuar, ku eshte fituar pa garë, me kosto pothuajse 20 mln euro për km, në një tender që qartësisht mund të ishte zhvilluar dhe fituar një kompani me 1/3 e vlerës.
Korrupsioni ka kapur në çdo qelizë qeverisjes sepse kjo bandë ka bashkëjetuar me korrupsionin, krimin dhe ligjet speciale në favor të oligarkëve. Kjo bandë ka vrarë shpresën, detyron rininë të emigrojë edhe të shfrytëzohet nga grupet kriminale, që sot pengojnë ekonominë e zhvillimit.
Një model kriminal që do të shkëputemi më 25 prill kur Shqiptarët do të votojnë qartazi kundër këtij tarafi kriminal që na qeveris. Shqipëria do të shpëtojë nga dara e korrupsionit një herë e mirë në 25 prill 2021, ku ne së bashku do të ndryshojme faqen e Shqipërisë vendit më të korruptuar në rajon.
Shqiptarët e heshtur dhe punëtorë, qytetarët e ndershëm të këtij vendi, viktima të këtij pushteti do të jenë në radhë për të rrëzuar këtë qeveri përmes votës. Së bashku do t’ia dalim!