Në vijim të pjesëmarrjes në takimin e Grupit mbi Sigurinë në funksion të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (OEWG) në Kombet e Bashkuara, Drejtore e AKSH-it, Linda Karçanaj paraqiti hapat që po ndjek Shqipëria për forcimin e kapaciteteve kibernetike, duke implementuar politika dhe strategji të qarta për të mbrojtur infrastrukturën digjitale.
“Dy prioritetet kryesore të Strategjisë sonë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike janë forcimi i kapacitetit njerëzor në sigurinë kibernetike dhe krijimi i kulturës së sigurisë kibernetike te qytetarët”, deklaroi ajo.
Investimi i kryer në forcimin e kapaciteteve kibernetike, vuri në dukje Karçanaj, ka demonstruar që tashmë Shqipëria përfaqësohet denjësisht në ushtrime ndërkombëtare europiane dhe rajonale.
“Të renditur të parët në ushtrimin global kibernetik të ITU-së ndërmjet 113 shteteve dhe për herë të dytë radhazi kampion rajonal në Ballkan, tashmë ekspertët shqiptarë demonstrojnë dijet e tyre në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Karçanaj.
Në këtë kuadër, theksoi më tej, Shqipëria është në përputhje të plotë me qasjen e Kombeve të Bashkuara, duke e bërë sigurinë kibernetike një përpjekje të përbashkët që kërkon angazhimin e të gjithëve për të siguruar një hapësirë kibernetike globale të sigurt.