Humbja e betejës ligjore në dy shkallët e para, KQZ dhe KAS e ka çuar Partinë Demokratike dhe aleatët e saj që të ‘trokasë’ edhe në derën e Kolegjit Zgjedhor.
Apeli Administrativ njoftoi sot se ka marrë ankimimet e depozituara nga ana e PD-ADSHM për tre nga qarqet që Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave ua kishte rrëzuar në mbledhjet e kaluara.
Bëhet fjalë për qarqet Gjirokastër, Korçë dhe Kukës, ku pretendimet e opozitës nuk u pranuan dhe u rrëzuan me shumicë votash nga KAS. Por PD i qëndron kërkesës për pavlefshmëri rezultati dhe përsëritje të zgjedhjeve në këto tre qarqe të certifikuara edhe nga KQZ në tabelat përmbledhëse të 11 majit.
Sipas procesit, Kolegji Zgjedhor që ndodhet në Gjykatën e Apelit Administrativ bën edhe hedhjen e shortit për caktimin e trupës gjykuese dhe më pas shqyrtimin dhe shprehjen me një vendim përfundimtar për ankimimet.
Po ditën e sotme, (10 qershor) KAS rrëzoi edhe 2 ankimime të tjera të PD-ADSHM në qarqet Vlorë dhe Berat. Kurse më herët ishte rrëzuar edhe Lezha, teksa pritet që opozita t’i ankimojë edhe këto në Kolegj.
Aktualisht vijon procesi i shqyrtimit të ankimimit për Elbasanin, Shkodrën e Dibrën. Kurse për Tiranën dhe Fierin është vendosur rinumërim total të kutive dhe për Durrësin në pjesën më të madhe të tij.