Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se situata humanitare në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm, duke arritur në nivelin më të keq që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit 19 muaj më parë.
Pavarësisht rifillimit të ndihmës për enklavën palestineze, uria dhe vështirësitë e tjera mbeten kërcënim serioz për jetën e mijëra njerëzve.
Pas shtimit të presionit ndërkombëtar, Izraeli ka vendosur të heqë bllokadën 11-javore të Gazës, duke mundësuar rifillimin e operacioneve të kufizuara për shpërndarjen e ndihmave nga OKB-ja. Po ashtu, është lançuar një kanal i ri shpërndarjeje ndihmash – Fondi Humanitar i Gazës, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarric, tha: “Çdo ndihmë që u vjen në dorë njerëzve që kanë nevojë është e mirë, por shpërndarja ka pasur një ndikim shumë, shumë të vogël.” Ai gjithashtu theksoi se situata në Gaza është më e keqja që nga fillimi i luftës, duke pasur parasysh vështirësitë që vazhdojnë të rriten për palestinezët.
OKB-ja dhe organizatat humanitare kanë refuzuar të bashkëpunojnë me Fondin Humanitar të Gazës, duke e konsideruar atë si jo neutral dhe me një model shpërndarjeje që mund të detyrojë palestinezët të shpërngulen.
Izraeli ka insistuar që shpërndarja e ndihmave të kalojë përmes këtij fondi, i cili përdor kompani private amerikane për transportimin e ndihmave në Gaza.