Dje tre nga Rama, Basha dhe Meta në të njëjtën kohë ishin përballë gazetarëve në tre studio të ndryshme. Ndërkohë që më shumë dritë është hedhur dhe në lidhje me koalicionet e mundshme pas 25 Qershorit.
Kryeministri Rama e përjashtoi në mënyrë kategorike një koalicion me LSI-në, sipas tij pas katër viteve atyre iu duhet një pauzë..
Po ashtu Presidenti i zgjedhur Meta është shprehur se LSI nuk do të bëjë koalicion as me njërën dhe as me tjetrën parti duke mos i kursyer akuzat për Ramën. Në këtë pikë për LSI-në do të dukej një koalicion më i mundshëm me PD-në e Bashës.
Vetë kreu i PD-së u shpreh se Partia e tij synon të marrë e vetme 72 mandate, dhe në një mënyrë a tjetër i mbylli derën koalicionit me LSI-në.
Kështu katër ditë para zgjedhjeve 3 parti politike synojnë që të dalin forcë e parë dhe koalicionet do të jenë e gjitha një matematikë e paszgjedhjeve.
DEKLARATA E RAMËS:
“Nuk mendoj pas 25 qershorin. Një gjë është e sigurt; nuk ka asnjë shans që të bëj koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo është e sigurt. Nuk ka asnjë shans. Unë përjashtoj të gjitha koalicionet, por me LSI-në duhet të bëjmë një pauz. Të paktën jo me Partinë Socialiste. Loja i treti i vërteti ka marrë fund”, tha Rama.
“I kam çuar një mesazh për sheshin “Skënderbej”. Unë nuk jam nga ata që i bëj publike. Nuk kam folur kurrë në telefon me Saliun. Jam i bindur që komunikon me mua sepse ka lidhje kozmike në këtë fazë”, tha ai për Berishën.
DEKLARATA E METËS:
I ftuar në Dritare me Rudinën presidenti i zgjedhur Ilir Meta, është shprehur i vendosur se LSI nuk do të bëjë më koalicion me Ramën.
Meta ka komentuar edhe një koalicion të mundshëm PS-PD, ku ka thënë që nuk do të funksionojë një koalicion i tillë.
“Një koalicion Rama- Basha është një koalicion që nuk mund të funksionojë dhe është një koalicion pa këllqe.
Ndërsa nga ana e saj LSI ia dhe shanisn një herë doktorit dhe një herë PS, se po të ishte për Ramën nuk do ai kishim dhënë. Vetëm pas shumë kohës mund të bëjmë koalicion me PS, normalisht jo me Ramën.
Tani ka ardhur koha që LSI tu tregojë këtyre forcave që mund të ja dalë e vetme dhe jo me kot na qëlloi 1-shi.” Ka deklaruar Meta
DEKLARATA E BASHËS:
Ju thoni që PD do jetë forcë e parë. Nëse nuk merrni 71 mandate, me kë do bashkëqeverisni më 25 qershor?
Kjo është larg paradigmave dhe koncepteve politike dhe mediatike të ditëve të sotme. Deri sot flasim me kë do bësh koalicion, si do t’i ndash portofolat, kush do të bëhet filan ministër. Çfarë do të thotë republika e re? Në radhë të parë do të thotë të vëmë interesin e njerëzve të parin. Dhe kjo për mua kalon nga ulja e TVSh-së, nga 20 në 15%; nga taksa e sheshtë 9 %; nga taksa për biznesin e vogël bashkë me tarifat lokale jo më shumë se 1.5 % e xhiros vjetore, dhe pulla fiskale që do të ndalojë futjen e inspektorëve tatimorë. Pra synojmë tërheqjen e inspektorëve nga rrugët. Synojmë të mos ketë shpenzime për fasada e palma, por për shkolla e kopshte. Shkolla me drekë deri në orën 4. Rikonstruksion i 1300 objekteve, shtim të stafin pedagogjik. Parashikojmë rritje të pensioneve. Këtu do shkojnë paratë e shqiptarëve.
Pra kush është dakord me këtë plan do të bashkëqeverisë?
Ne me këtë plan do të qeverisim Shqipërinë. PD dhe aleatët tanë do të qeverisin me këtë plan.
Nëse do të ju duhen votat e LSI çfarë do të bëni?
Ne do të qeverisim me këtë plan Shqipërinë, dhe me ekzekutimin e këtij plani nuk ka asnjë kompromis. Nuk do të ketë asnjë kompromis. Ne nuk do të bëjmë kompromise në kurriz të asaj që shqiptarët presin dhe meritojnë. I vetmi plan që e garanton këtë, dhe në fakt i vetmi plan në fushatë, është programi ynë ekonomik. Unë besoj se qytetarët shqiptarë që janë njohur me planin, dhe ata të tjerët që do të njihen shumë shpejt me të, do ta mbështetin dhe do të më japin mua dhe PD shansin të qeverisim për ekonominë, punësimin, biznesin dhe të gjitha.
E mohoni në mënyrë kategorike një marrëveshje apo një koalicion pas zgjedhor me LSI?
Unë kërkoj dhe kam bindjen se shqiptarët do të votojnë PD, koalicionin tonë opozitar për të zbatuar këtë plan ekonomik, i vetmi plan në fushatë. Nuk është, nuk e mohoj. Unë pres që PD të qeverisë vendin pas 25 qershorit dhe të zbatojë planin ekonomik.
Por ka disa skenarë?
Ky është skenari i rrëzimit të republikës së vjetër me votë, me një goditje. Nëse ky skenar nuk ndodh, unë prapë se prapë ju them se republika e vjetër ka marrë fund. Natyrisht na pret një betejë tjetër deri në rrëzimin total të saj, por unë kam besimin se shqiptarët do ta rrëzojnë menjëherë dhe do të përqafojnë këtë përqasje europiane, këtë plan që funksionon në Europë dhe SHBA, taksa të ulëta që shpenzohen për ekonominë, për të rinjtë.
(E.K/SHUPLAKA)