Gjatë seancës së sotme, Kuvendi ka vendosur të shtyjë me 30 ditë afatin e veprimtarisë së komisionit të posaçëm parlamentar “Për reformën zgjedhore”. Ky vendim u votua me 76 vota pro.
Komisioni i posacëm u ngrit nga parlamenti që në dhjetor të 2015-ës, me qëllim jetësimin në kodin zgjedhor të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, të propozuara në raportet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare 2013 dhe ato vendore 2015, megjithatë ai akoma nuk e ka kryer detyrën e tij.
Pavarësisht se zgjedhjet po afrojnë, kodi zgjedhor akoma nuk është amenduar për shkak të mungesës së konsensusit.
Ndër të tjera, Kuvendi miratoi edhe shtesat në ligjin “Për ankandin publik”, që përcaktojnë procedurën e re të organizimit të ankandit, atë me negocim. Ky vendim u mor me 77 vota pro.