Policia shqiptare ka marrë masa të rrepta ditën e sotme në pikën kufitare të Kakavijës pasi priten të hyjnë mijëra grekë për të marrë pjesë në varrimin e Kostandinos Katsifas, i vrarë më 28 tetor në Bularat në një shkëmbim zjarri me policinë shqiptare.
Gazetarja e ‘Fax News’ Ervina Shehaj ka raportuar nga Kakavija se deri tani kanë hyrë nga kjo pikë doganore 670 shtetas të huaj, ndërsa po kontrollohen imtësisht nga policia shqiptare, duke u hequr dhe xhupat.
Ata që kishin bluza ku shkruhej “Vorio-Epir” apo bëheshin thirrje antikombëtare, janë kthyer mbrapsht nga policia.
Deri tani në total janë ndaluar 10 persona të hyjnë në tokën shqiptare, pasi është konsideruar nga policia se mund të sjellin trazira.
Ndërkohë që janë ngritur dhe postblloqe nga policia shqiptare në afërsi të Kakavijës. Për garantimin e sigurisë kanë mbërritur edhe efektivë nga Tiranë.
Në orët që vijnë pritet që të ketë një fluks edhe më të lartë, ndërsa Kakavija nuk është pika e vetme e hyrjes së grekëve që duan të marrin pjesë në varrimin e Katsifas. Në funeral pritet të marrin pjesë edhe shumë persona nga Himara. (B.H/Faxweb)