Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sonte me kërkesë të tyre një përfaqësi të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Artistët e falënderuan kreun e shtetit për mbështetjen e dhënë prej tij për aplikimin e tyre drejtuar organizatës “Europa Nostra”, me qëllim mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar.
Presidenti Meta i garantoi se do të jeë gjithmonë në krah të tyre, ndërsa e cilësoi kauzën e artistëve si të drejtë.
“Unë do të jem gjithmonë me ju, sepse kauza juaj është tërësisht një kauzë e drejtë. Gjithashtu dua t’ju falënderoj sepse ju keni qenë model edhe në kauza të tjera, sikurse e reflektuat me solidaritetin që treguat me banorët që u goditën rëndë dhe drejtpërdrejt nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Fakti që ju u kthyet në një qendër të rëndësishme ku qytetarët sillnin vullnetarisht ndihmat apo kontributet e tyre tregon edhe besimin që ata kanë tek idealizmi juaj, te përkushtimi juaj dhe në këtë mënyrë jeni bërë një shembull i kauzave të drejta të shoqërisë sonë”, tha Meta.
Gjithashtu, artistët e falenderuan kreun e shtetit edhe për depozitimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit për shembjen e godinës së teatrit.
Në fjalën e rastit, presidenti Meta tha se Teatri Kombëtar nuk është thjesht një godinë që u përket artistëve, por një vlerë e jashtëzakonshme kulturore dhe kombëtare, që duhet mbrojtur nga të gjithë.
Kreu i shtetit gjithashtu vlerësoi rezistencën paqësore dhe demokratike të artistëve, duke theksuar se kjo qëndresë ia ka vlejtur edhe për faktin sepse ka bërë të mundur që të ndërgjegjësohet, jo vetëm opinioni vendas, por edhe ai ndërkombëtar për mbrojtjen e kësaj trashëgimie kulturore.
“Unë kam bërë detyrën time, që duhet ta bënte kushdo që është në këtë detyrë dhe në këtë institucion, pasi teatri nuk është vetëm i juaji. Atje është e gjithë jeta juaj, krijimtaria dhe emocionet tuaja. Teatri është i të gjithëve sepse është një vlerë e jashtëzakonshme kulturore dhe kombëtare, që duhet mbrojtur pa asnjë diskutim nga të gjithë.
Dua t’ju falënderoj sepse ju keni treguar se jeni artistë të vërtetë, dhe idealistë që nuk konformoheni. E di që presionet kanë qenë të shumta dhe të mëdha, derisa është vënë dorë mbi artistët, dhe kjo është e papranueshme dhe mjaft e rëndë.
Megjithatë, qëndresa juaj ia ka vlejtur, sepse ka bërë të mundur që të ndërgjegjësohet opinioni, të ndërgjegjësohet shoqëria për ta ruajtur atë trashëgimi të shkëlqyer kulturore që kemi”, shtoi presidenti.
Duke bashkëbiseduar me artistët dhe përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, presidenti Meta u shprehu mirënjohjen personale dhe institucionale për ndihmat bujare që kanë mbledhur vullnetarisht për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Ne nuk e ndalim dot globalizimin dhe duhet të përfitojmë aq sa mundemi maksimalisht nga të gjitha avantazhet që ai sjell për zhvillim, për komunikim, por në këtë situatë në të cilën ndodhemi dhe ky presion i madh që vjen nga globalizimi duhet të na ndërgjegjësojë se sa shumë duhet të kujdesemi për rrënjat tona kombëtare, për mbrojtjen e vlerave kulturore, në mënyrë që të mos zhbëhemi dhe të mos na cënohet identiteti ynë kombëtar për të cilin paraardhësit tanë kanë sakrifikuar aq shumë”, vijoi më tej presidenti Ilir Meta.