Akademiku i njohur Artan Fuga, i kundërpërgjigjet Mira Kazhanit për shkrimin e saj me titull “Si klientët e shtëpisë Hermes” e cila i drejtohej me fjalët: “Se sa herë mendoj:- që ja u dogj Shqipëria, me del në imagjinatë Artan Fuga që shkruan statuse nga Parisi dhe plot të tjerë që do shohin si shkojmë për lesh ne të gjithë nga televizori i madh, ata vetë në vilat e bukura dhe panoramike.”
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Fuga ankohet ndaj këtyre lloj shkrimeve kundër tij, që e kanë bërë që të mos pijë dot i qetë një kafe në Shqipëri. Por pavarësisht se nuk e përmend Kazhanin, të gjitha fjalët e tij të çojnë te ajo.
“Gënjejnë paturpësisht se unë statuset e mia i kam shkruajtur këto javë nga Parisi. Rrena. Si do të gënjejni ata qindra e qindra studentë që kanë bërë mësim me mua?
Mos doni ta mbyllni në izolim Shqipërinë???
Se unë paskam linçuar me kritika kundërshtarët e z. Lulzim Basha në Partinë demokratike.”, shkruan Fuga.
Profesori i filozofisë dhe i gazetarisë, shprehet se kjo është një fushatë shpifjesh kundër tij.
Në shkrimin e saj, Kazhani shprehej kundër termit “Republika e Re”, të cilën Fuga e mbështet fort në daljet e tij publike, apo edhe në shkrimet e tij.
“Pas linçimit vjen edhe dhuna. Dhuna po kthehet në alternativën e Republikës së Re. Jetojmë në një vend te vogël sa një bonbone. Në një vend ku nuk ka nevojë të sillemi si njerëz kaq të mëdhenj e të rëndësishëm. Jemi shumë më të vegjël nga çfarë delirojmë. Jemi shumë më pak të rëndësishëm kur bëhemi qesharak duke çliruar opsione dhune. Sot është 9 Maji, dita e Europës. Kjo bonbonia jonë Shqipëri nuk ka asnjë derë më të mirë sesa Europa.”, shkruan Kazhani.
Ajo ironizon faktin që Fuga jeton sa në Shqipëri dhe sa në Francë, kjo në fakt për shkak të punës së tij në një universitet atje, por që Kazhani e shikon në aspektin që ai nuk interesohet për vendin.
“Duan punë vilat për t’u mirëmbajtur. Po udhëtimet? Jetët paralele që të hanë shumë kohë e shpirt. Bëhet e mërzitshme çdo gjë në një periudhë të caktuar të jetës dhe nuk të ngacmon gjakun asgjë, veç gjakut! Po nëse e keni ndarë mendjen dhe nuk e keni thjesht narracion Republikën e Re niseni nga vetja që t’ju ndjekim me besim. Bëjeni fillimisht duke dorëzuar çdo përfitim nga ky sistem që ishte dhe është më shumë juaji, se imi dhe të tjerëve. Se sa herë mendoj:- që ja u dogj Shqipëria, me del në imagjinatë Artan Fuga që shkruan statuse nga Parisi dhe plot të tjerë që do shohin si shkojmë për lesh ne të gjithë nga televizori i madh, ata vetë në vilat e bukura dhe panoramike.”, shkruan gazetarja.
Mirëpo Fuga, ashtu siç thotë edhe një shprehje e popullin, “e lë me gisht në gojë” Kazhanin, të cilën e përshëndet me këngën e Vaçe Zelës, “Blegërin Delja”.
REAGIMI I PLOTË I FUGËS
Më keni bërë që të mos pi dot një kafe qetë në Shqipëri!
——————-
Më thonë e më postojnë shkrime me burim një media në letër, ku si duket kanë vendosur të hidhen në fushatë shpifjesh ndaj meje.
Përshkallëzohet censura, përplasja, fushata e shpifjeve, që vazhdon prej kohësh dhe që pasohet me iso edhe në rrjete sociale ku komentues të paguar, anonimë, nuk ekonomizojnë forcat e tyre në zellin e vet idiot kundër meje.
Mos e humbni kohën kot!
Nuk dëgjoj fare nga ai vesh unë.
Fushatat kundër meje nuk kanë asnjë efekt negativ as mbi mua psikologjikisht, dhe as me ata qindra mijra persona në të gjithë Shqipërinë që më ndjekin dhe më besojnë.
Më shumë më faktorizoni.
I vetmi dëm që më bëni është se nuk paguaj dot asnjë kafe, në asnjë vend të Shqipërisë dhe në Kosovë, duke e pirë atë i vetmuar dhe në meditim. Ma paguajnë me ngulm dashamirës dhe miq.
Ma bëni këtë nder. Mos më jepni atë përmasë që as nuk e dua dhe as nuk e kam.
Debati është mes kryeministrisë dhe Cadrës të lirive Politike përballë. Mos i ndryshoni drejtim duke e kaluar atë mes jush si aparate propagandistiko-politike me prapavija të njohiura hollësisht dhe fije për fije nga unë dhe meje. Nuk është ky debati në Shqipëri! Nuk më tërhiqni dot në këtë kurth sepse këto taktika i shpjegoj për ditë në mësim brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sigurisht për ata që janë diplomuar për komunikim masiv dhe gazetari, jo për të tjerët.
Nuk kam kohë dhe as dëshirë të merrem me ju dhe shpifjet tuaja!
Gënjejnë paturpësisht se unë statuset e mia i kam shkruajtur këto javë nga Parisi. Rrena. Si do të gënjejni ata qindra e qindra studentë që kanë bërë mësim me mua?
Mos doni ta mbyllni në izolim Shqipërinë???
Se unë paskam linçuar me kritika kundërshtarët e z. Lulzim Basha në Partinë demokratike.
Gjejeni pra cilin, ku, për çfarë?
E vetmja që kam bërë është se nuk kam qenë dakord me disa që moskandidimin e disa deputetëve e quanin hall të madh, a thua se nga të gjitha anët duhet të kemi deputetë për jetë, herë në opozitë dhe herë në pushtet, pra herë me dorë në bakllava dhe herë në revani.
Deputet edhe opozitar edhe pasanik të privilegjuar prej këtij statusi nuk mund të ketë!
Unë i qendroj asaj që republika e re nuk duhet të lejojë askënd të ketë më shumë se dy mandate rradhazi si deputet.
Bëni një referendum me shqiptarët dhe shikoni rezultatet!
Paskam edhe vilë me hapje panoramike!!! Ah ta kisha pasur!
Cfarë gënjeshtre e ndyrë! Qesharake. Kazan gënjeshtrash e mori e Mira e mori! Nuk e fitoni dot bukën ndryshe!
Jetoj në apartament si shqiptar i mesëm.
Po gjetët se diku kam vilë, hajde e më thoni.
Asnjë përfitim nuk kam pasur nga asnjë pushtet. E ritheksoj se shteti më ka miliona lekë për të më kthyer si pasuri familjare. Miliona.
Me to mund të ndêrtoj vila e kështjella sa të më dojë qefi. Por kthejini partë e grabitura, mos vidhni me tendera e mos u shisni për dy lekë!
Por, edhe poqese do të kisha pasur vila si disa e disa, unë nuk luftoj për vete, as për ndonjë parti, por për qytetarin.
Vetë kam gjithçka duhet. Me bollëk.
Poqese qytetari nuk është me dinjitet por skllav, edhe unë jam keq!
Por, nuk kam ndërmend të zgjatem.
Ju lutem, më keni bërë të njohur, mos më bëni të famshëm sepse dua të jetoj në modesti dhe në hije ku të bëj punët e mia.
Dhe për t’ju përshëndetur, po postoj këngën e bukur:
Blegërin delja, kënduar nga Vaçe Zela e madhe. Nuk mund ta bëj më mirë! (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post