Nga Armand Maho
Një miku im më la takim sot në mëngjes. Punon në administratë, prej shumë vitesh familje pronarësh i djathtë 24 karatësh por prej kohësh s’e kam parë shumë aktiv. Natyrisht ruan dhe vendin e punës dhe më shumë mund mori statusin e nëpunësit civil!
– Kam një propozim – tha pa më ardhur akoma porosia. Në rast se ke muhabet thuaji atij djalit Tomor Alizotit të kandidojë për kryetar i PD. Unë do e përkrahja me gjithë qejf kjo s’e bën fitues por…
– Ça thua me burrë,- ja ktheva, kush e njeh Tomorrin, kush e voton. Fundja kush më dëgjon mua, as më kanë pyetur ndonjëherë. Në rast se bëj gam-gam bëj se më dhimbset partia e kaq. Dhe vetë unë e njoh nga larg. Plus që as e kam idenë se kush është. Ke nai muhabet tjetër?
– Jo se jam vonë. Po këta të tjerët çfarë përfaqësojnë, apo kanë përfaqësuar? Është stërnip i Fejzi bej Alizotit, dhe nip i Riza Alizotit, njëri i pushkatuar nga regjimi komunist dhe tjetri inxhinier i varur po nga regjimi komunist. Babai i tij Fejziu junior, vuajti në burgjet e Spaçit, ndërsa vetë Tomorri është lindur në internim. Gjyshja e tij pas varjes së burrit dhe burgosjes së të birit u sëmur nga kanceri, vdiq dhe regjimi nuk pranonte as t’ja varroste.
Ka qenë rasti i parë që një person nuk është pranuar të varroset me pretendimin se ” varrezat shqiptare s’kanë vend për Alizotët”. Babai i tij u dërgua në kampet e Lushnjes ku u rrit nga daja! Më pas do e burgosnin në Spaç pas lindjes së Tomorrit. Madje dhe emri i Tomorrit ka një specifikë të veçantë. Gjyshja e tij ngaqë i lutej Baba Tomorrit që të zhdukte komunizmin vendosi që emrin nipit t’ja vendosë Tomorr, që t’i plotësohej dëshira!
Kam njohje të largët familjare, por Alizotët janë legjendë në historinë e tyre dhe këto histori kanë qarkulluar tek të gjithë ata që i njihnin. Vetë Tomorrin nuk e njoh. Pashë që kishe bërë një status dhe thashë kush e di!
Ndërkohë që miku im iku në punë të tij unë ndejta dhe pak. Në fakt Tomorrin e kisha parë aty vërdallë PD, dhe e dija që mbulonte departamentin e ish të përndjekurve por kaq. Isha në dilemë në rast se do kandidonte a do e përkrahja.
Tomorri nuk njihet shumë në publik. Ka mbaruar shkollën në Gjermani dhe ka qenë sekretari ynë i ambasadës atje. Por këto pak rëndësi ka. Mbaj mend dhe kur erdhi Lulzim Basha në PD askush s’e njihte. Ishte djalë i qeshur, dhe interesant për faktin se kish qenë jurist në tribunalin e Hagës.
Rrezatonte kulturë perëndimore, por në intervistat e fillimit ishte konfuz. Gjë që më rezultoi dhe në një intervistë që zhvillova me të për gazetën ku punoja. Ishte nga intervistat e para të tij. Më pas përgjigjet ishin standarde kudo që shkonte.
Njësoj si Tomorrin dhe atë atëherë s’e njihte askush, por partia dhe doktori u investua shumë. Tre herë ministër, një herë kryetar bashkie dhe në fund kryetar Partie. Personalisht e kam përkrahur në të gjitha betejat e tij, dhe atë për kryetar partie, pasi dhe Olldashi, ndjesë pastë, jo pak herë e kish shfaqur hapur klanizmin dhe klientelizmin në PD. Për interesa të tij s’e kish për gjë të të braktiste, dhe ca gjëra duhen thënë siç janë.
Basha dukej e vetmja zgjidhje dhe zgjedhjen e tij në krye të PD e përjetova jo pa gëzim. Por besimi te ai si lider filloi të më lëkundej që kur nuk zhvilloi asnjë analizë për humbjen e vitit 2013. Prisja heqjen e figurave që e çuan PD në humbje por hiç. Mendova se s’donte debate para zgjedhjeve lokale, por dhe ato rezultuan katastrofë. Pa dashur të zgjatem, më tej kjo histori vazhdoi deri më 26 qershor 2017. Basha në vend të ngjitej përgjatë kohës vetëm humbiste terren. Vendime qesharake, përfshirje qesharake, përjashtime në shumë raste e kota. Listat e kandidatëve për deputetë ishin një katastrofë më vete. Në shumë raste kam detyruar të hesht për të duruar talljet me emra të caktuar. Asnjëherë s’mbaj mend në 27 vjet që të kem përjetuar një fushatë me mentalitet humbësi. Dhe ndodhi ajo që ndodhi….
Sot PD ndodhet në një situatë që kam kohë që s’e kam parë dhe këtu e çuan vendimet foshnjarake të kryetarit të partisë. Prej kohësh kjo parti nuk përfaqëson me asgjë! Kjo parti që lindi si shpresë për të gjithë ata që u vranë e u burgosën nga regjimi.
Ndoshta ka ardhur koha të përfaqësohet nga një pinjoll i atyre që u persekutuan, të rikthehet dhe një herë te ato ideale. Të bëhet e qartë se çfarë përfaqëson. Të rikthejë një herë shpirtin e demokratëve që i qëndruan dhunës së diktaturës dhe plumbave të vitit 1997. Le të jenë një herë demokratët ata që zgjedhin dhe krijojne liderin, dhe jo t’ua servirësh të gatshëm pa alternativë tjetër. Por a do e votoja unë Tomorr Alizotin, pinjollin e Fejzi Beut të vrarë nga dora e Bedri Spahiut dhe të lindur në kampet e përqëndrimit të rregjimit në përballje me të birin e Kristaqit? A do e votoja para kryetarit aktual që solli këtë rrënim dhe një Soroisti që na shfaqet si shpëtimtar…. po pa asnjë mëdyshje!
Tomor Alizoti