Një skenë e pazakontë ka ndodhur në Durrës, ku operatorët e mediave janë sulmuar nga policia, teksa kanë qenë duke filmuar momentet e shkarkimit të kokainës nga një kamion me banane.
Operatorët janë detyruar nga punonjësit e policisë që të fshijnë pamjet që kanë marrë, ndërkohë që një gjë e tillë është e paprecedentë, sa kohë që punonjësit e medias, nuk ishin duke dekonspiruar ndonjë sekret hetimor.
Burime bëjnë me dije se në kamionin ku u gjet kokaina e ndarë në 14 pako (sasia nuk dihet ende), kanë vazhduar kontrollet për disa orë me radhë, ndërsa është zbuluar dhe intenerari që ai ka ndjekur.
Mësohet se kamioni është nisur nga Porti i Pireut më 8 korrik dhe mbërriti në portin e Durrësit 2 ditë më parë, ndërsa bananet ishin porositur nga një firmë shqiptare.
Njoftimi i policisë:
Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidenton dhe sekuestron deri në këto momente 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Shoqërohen në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dy persona.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale, kanë ushtruar kontroll të detajuar në një kontenier të ngarkuar me banane për llogari të një firme në Shqipëri.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, deri tani janë gjetur të fshehura 14 pako të mbushra me lëndë narkotike të dyshuar kokainë . Kontrolli vijon.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë shoqëruar dy persona për tu pyetur në lidhje me këtë ngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
(E.K/Faxweb.al)