Qeveria ka ndërmend “të nxjerrë në shitje” ditët e burgut për të dënuarit për vepra penale deri në 3 vjet burg, ose për ata që u kanë mbetur më pak se 3 vjet nga shlyerja e gjithë dënimit. “GSh” zbardh sot dy draftet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë të cilat synojnë “një drejtësi penale më efiçente”.
Në dokumentin shoqërues të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale konstatohet problemi se në burgjet tona gjenden më shumë të paraburgosur (në pritje të dënimit) se të dënuar.
Kështu, ekspertët kanë hartuar një paketë propozimesh që përfshin dënime alternative, gjoba, arrest shtëpie, punë të detyruar si dhe shlyerjen e dënimit me pagesë: 5 mijë lekë të reja 1 ditë, për ata të cilëve ua mban xhepi. Përpos blerjes së lirisë, në Kodin e Procedurës Penale sanksionohet se pas kryerjes së një krimi, gjykata nuk mund të vendosë arrest me burg ndaj grave shtatzëna ose me fëmijë të mitur, ndaj të sëmurëve rëndë, grave deri në moshën 60 vjeç, burrave deri në moshën 65 vjeç dhe ndaj personave që trajtohen si të toksikuar apo të alkoolizuar.
KODI I RI PENAL
“Të gjithë ata persona që janë dënuar me burgim deri në 3 vjet apo që u kanë mbetur pa vuajtur edhe 3 vjet burgim, mund të kërkojnë ta zëvendësojnë dënimin e mbetur me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, duke llogaritur 5.000 lekë për një ditë burgim. Në këtë rast, dënimi konsiderohet i shlyer”, thuhet në Kodin e ri Penal të propozuar nga ekspertët e MD-së. Gjithashtu propozohet “shpërblimi i dëmit”, shuma e të hollave që një i akuzuar do të japë në favor të të dëmtuarit nga vepra penale.
“Gjykata cakton masën e shpërblimit pasi ka bërë vlerësimin e dëmit të ardhur. Gjykata, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dënuarit, mund të lejojë që shpërblimi i dëmit të shkaktuar të paguhet me këste, duke caktuar këstet dhe afatin e pagimit të tyre”, thuhet në projektligj.
Ministria e Drejtësisë propozon gjithashtu “dekriminalizimin” e gabimit mjekësor, duke i dënuar profesionistët që i shkaktojnë dëme pacientit me: gjobë, mosushtrim profesioni ose me dëmshpërblim financiar ndaj të dëmtuarit. Ndërsa, “mjekësia alternative” dënohet nga 2 deri në 5 vite burg. Dënohet me burg deri në 2 vjet edhe rrahja në familje dhe në rast të përsëritur, deri në 3 vite.
MINISTRI I DREJTESISE
Ministri Ylli Manjani deklaroi dje se amnistia e fundvitit në burgje do të nisë zbatimin menjëherë sapo ajo të hyjë në fuqi. Në një status në “Facebook”, ai foli kundër “drejtësisë popullore”. “Me mjaft rëndësi çmoj reformën e drejtësisë penale në vend. Duhet ta pranojmë se aktualisht kemi rregulla që na kanë mbetur që nga koha e shkuar (nga ajo e shkuara fare)!
Sistemi i sotëm i drejtësisë penale prodhon më shumë arrestime sesa hetime. Nxitimi për të njoftuar në televizor arrestime vazhdon të jetë i dëmshëm, sepse nuk nxit (në mos pengon) faktimin me prova të ngjarjeve kriminale. Arrestimi mbi dyshim (pa prova) është efektivisht dënim edhe nëse në gjykim provohet pafajësia!
Kjo është sindroma e ‘drejtësisë popullore’ që vjen nga e shkuara. Për këtë dhe për të tjera, kemi përgatitur një paketë ndryshimesh në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale, të cilat i kemi shpallur publikisht për një konsultë me cilindo që do të kontribuojë”, deklaroi ministri Manjani.
2 PROJEKTLIGJET E PROPOZUARA NGA MD PERJASHTOHET NGA ARRESTI ME BURG
a) Gruaja që është shtatzënë ose me fëmijë
deri në 2 vjeç
b) Personi me gjendje shëndetësore të rëndë
c) Gratë mbi moshën 60 vjeç dhe burrat mbi
moshën 65 vjeç
ç) Personi toksikoman apo i alkoolizuar, ndaj
të cilit është duke u zbatuar një program
terapeutik në një institucion të posaçëm, deri në
përfundim të terapisë.
LLOGARITJA E PARABURGIMIT
Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim, gjobë ose punë në interes publik si më poshtë:
Një ditë paraburgim e barabartë me 1.5 ditë burgim.
Një ditë arrest shtëpie e barabartë me një ditë burgim.
Një ditë paraburgim e barabartë me 3.000 lekë gjobë
Një ditë burgim e barabartë me 2.000 lekë gjobë.
Një ditë paraburgim e barabartë me 18 orë pune në interes publik.
DENIMET PER PRODHIM E SHITJE DROGE
a) Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është deri në 100 gramë, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
b) Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” si dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 100 gramë deri në 1 kg, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
c) Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 1 kg deri në 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
d) Kur lënda narkotike është e llojit “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime dhe sasia e lëndës narkotike është mbi 10 kg, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur vepra e mësipërme kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Kur vepra e mësipërme kryhet në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Kur lënda narkotike është e llojit “heroinë” apo “kokainë”, apo çdo lloj lënde narkotike e ndryshme nga “cannabis sativa” dhe farërave të kësaj bime, dhe sasia është deri në 1 kg, dënimi me burgim në minimum shtohet me 1 vit dhe në maksimum me 3 vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga
dhjetë gjer në njëzet vjet. (E.K/SHUPLAKA)