Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) ka publikuar raportin vjetor të drogave të vitit 2018, ku shpreh shqetësimin për rishfaqjen e kokainës në një treg dinamik të narkotikëve në Europë. Ka evidenca të rritjes së disponueshmërisë së kokainës, thekson raporti, i cili ka marrë në shqyrtim 28 vendet e Bashkimit Europian si dhe Turqinë e Norvegjinë.
Disponueshmëria e narkotikëve është e lartë dhe në disa zona duket se po rritet. Të dhënat e fundit tregojnë se në Europë (BE-28, Turqia dhe Norvegjia) u raportuan në vitin 2016 mbi 1 milion kapje të drogave ilegale. Mbi 92 milionë të rritur në BE (15–64 vjeç) kanë provuar një drogë të paligjshme përgjatë jetës së tyre dhe një numër i vlerësuar prej 1.3 milionë njerëzish kanë marrë trajtim për përdorim të paligjshëm të drogave në 2016 (BE-28).
Dimitris Avramopoulos, Komisioner Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, thotë: “Ne po shohim prodhim më të lartë të drogës dhe disponueshmërisë së tij në Evropë sot. Për më tepër, tregu i paligjshëm i drogës është shumë dinamik dhe i adaptueshëm – prandaj edhe më i rrezikshëm. Nëse duam të qëndrojmë përpara lojës, përpjekjet tona duhet të përqendrohen në ndërtimin e elasticitetit dhe reagimit, sidomos për shkak të rritjes së rëndësisë së tregut online dhe zhvillimit të llojeve të reja të drogës. Me rregullat e reja mbi substancat e reja psikoaktive që hyjnë në fuqi deri në fund të vitit, Evropa do të pajiset me mjete shtesë dhe më të fuqishme për të trajtuar më mirë këto sfida dhe për të mbrojtur më mirë qytetarët evropianë kundër drogave të rrezikshme”.
Kokaina është droga stimuluese më e zakonshme e përdorur në Evropë. Rreth 2.3 milion të rinj (15-34 vjeç) e kanë përdorur atë në vitin e fundit (BE-28). Në sfondin e shenjave të rritjes së kultivimit dhe prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, analiza konfirmon se tregu i kokainës në Evropë është i lartë, me indikatorët, që tregojnë tashmë rritjen e disponueshmërisë së drogës në një numër vendesh. Megjithëse çmimi i kokainës mbeti i qëndrueshëm, pastërtia e saj në përdorimin në rrugë arriti nivelin më të lartë në një dekadë në 2016. Numri i konfiskimeve të kokainës është rritur gjithashtu. Rreth 98 000 konfiskime të drogës janë raportuar në BE në vitin 2016 (90,000 në 2015), duke arritur në 70.9 ton.
Laniel i EMCDDA: Shqipëria vijon të jetë burim i furnizimit të kanabisit në BE, “kjo është e sigurt”
Raporti përmend vetëm se Ballkani Perëndimor është një burim si i barit të kanabisit ashtu dhe i vajit të kanabisit.
I kontaktuar me telefon nga “Monitor”, pas daljes së raportit, Laurent Laniel, analist shkencor për reduktimin e ofertës së drogës, në Qendrën Europiane të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) tha se raporti është i fokusuar vetëm në vendet e Bashkimit Europianë dhe Turqinë e Norvegjinë, ndaj nuk i përmend specifikisht vendet e Ballkanit. Megjithatë, ai shton se nga informacionet që ata kanë Shqipëria vazhdon të jetë burim i furnizimit të kanabisit që trafikohet dhe konsumohet në BE dhe “kjo është e sigurt”.
“Dy vjet më parë, sipas autoriteteve shqiptare dhe italiane, prodhimi i kanabisit në Shqipëri ishte zvogëluar në mënyrë dramatike, por kjo duket se është rikthyer vitin e kaluar, duke pasur parasysh sasinë e barit të kanabisit (dhe produkte të tjera) që u kapën në Shqipëri”, specifikoi ai.
“Vitin e kaluar u kapën 75 ton kanabis në Shqipëri dhe kjo nuk është një sasi e vogël. Do të ishte mrekulli sikur kjo të mbaronte nga një vit në tjetrin”, thotë ai.
Ai shton se problem vazhdojnë të mbeten në Europë personat që flasin shqip, të cilat janë të përfshirë në trafikimin e heroinës dhe kokainës në sasi të mëdha, apo dhe në prodhimin e kanabisit jashtë në vendet e BE-së. “Krimi i organizuar shqiptar është problem në Europë”, shton ai.
Në një intervistë të mëparshme për Monitor, në mars të këtij viti, z. Laniel ka pohuar se, pas vitit 2016, nga Shqipëria nuk raportohet më prodhim masiv i kanabisit, por kapjet e sasive të kanabisit në kufi vazhdojnë, çka të çon dy konkluzione, stok i madh ose prodhimi vazhdon në hapësira të mbyllura.
Por, më shumë sesa për kanabisin e mbjellë në Shqipëri, autoritetet europiane janë të shqetësuara për grupet kriminale që po veprojnë jashtë Shqipërisë. Trafikantët shqiptarë që veprojnë në BE janë forcuar dukshëm së fundi dhe po marrin kontrollin e tregut në Britani, Francën Lindore etj. “Kolegët në Britani thonë se shqiptarët po marrin tashmë drejtimin e tregut të kokainës dhe shpërndarjes në nivelin e mesëm”, pohoi ai. Shqiptarët jashtë po bëhen një kërcënim më i madh, pasi ata duket se janë të përfshirë në tregjet më të mëdha të drogave.
Autoritetet europiane nuk e përjashtojnë mundësinë që grupet që veprojnë në Europë të jenë të lidhur me ata në Shqipëri, madje dyshimet janë se bosët e krimit në Shqipëri janë të mbrojtur dhe nuk i gjen gjë. “Pyetja më e madhe është se si kriminelët shqiptarë, që veprojnë jashtë Shqipërisë, ndërveprojnë me ata që janë në Shqipëri. A janë ata, ashtu siç besojnë oficerët e policisë në disa vende europiane, të lidhur me bosët e krimit, që janë në Shqipëri dhe me sa duket janë të mbrojtur dhe asgjë nuk i gjen ata atje dhe ata organizojnë operacione dhe marrin paratë nga operacione që kryhen jashtë vendit, si trafikimi i kokainës dhe heroinës”, ka pohuar z. Laniel.
Një tjetër fakt, që sipas tij është i sigurt, është që shqiptarët janë përfshirë në sjelljen e kokainës direkt nga Amerika e Jugut, që është një hap tjetër në tregti. Gjithsesi, sipas vlerësimeve të tij, për Europën, Shqipëria nuk është ende një qendër e madhe shpërndarjeje për kokainën, pasi aktiviteti më i madh i importimit dhe shpërndarjes së kokainës për tregjet europiane është nga portet e Belgjikës dhe Holandës.
Burimi: /Monitor/