Në pikën kufitare të Kakavijës vijon të jetë i lartë numri i personave të cilët hyjnë drejt tokës shqiptare. Prej disa ditësh tashmë numri i udhëtarëve hyrës është më i lartë se ai i personave që udhëtojnë drejt shtetit fqinj ku shumica e udhëtarëve lëvizin kryesisht për arsye pune. Një nga problematikat kryesore në pikën kufitare nga ana e palës greke mbetet kontrolli i pasagjerëve si dhe dokumentacioni i nevojshëm për të kaluar drejt shtetit fqinj. Kjo ka bërë që shumë pasagjerë të detyrohen të presin në linjat e autobuzëvë në temperatura të larta për të pritur një konfirmim mbi kalimin drejt Greqisë.
Gazetarja e Fax News Ervina Shehaj, në një raportim nga pika kufitare e Kakavijës u shpreh se: “Ka një fluks të madh të personave që hyjnë drejt shtetit shqiptar kryesisht për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. Problemi kryesor mbetet kontrolli i pasagjerëvë që hyjnë drejt Greqisë ku pala greke ka vijuar kontrollet e rrepta për të gjithë dokumentacionin e nevojshëm mbi Covid-19 duke krijuar një situatë jo të këndshme për udhëtarët të cilët qendrojnë prej disa orësh në temperatura të larta, ndërkohë që në palën shqiptare ky kontroll nuk po ushtrohet. Vetëm disa ditë më parë një çift është kthyer nga pala greke për shkak të mungesës së dokumentave të nevojshme.”
Në një intervistë për Fax News, disa qytetarë janë shprehur se kanë qendruar për një kohë të gjatë në pritje:”Kam mbi një orë e gjysëm që pres këtu. Jam pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme dhe po pres tani”,u shpreh njëri prej tyre. I pyetur nga gazetarja në lidhje me situatën që po kalonin ata janë shprehur se:”Çfarë të flasim për këtë?! Edhe po folëm kush do na dëgjojë?”.
Pas hapjes së kufirit në qershor, pala greke ka vijuar me kontrollin e plotë të çdo pasagjeri që hyn drejt shtetit helen. Për të gjithë personat të cilët duan të hyjnë drejt shtetit grek duhet të jenë të pajisur me një çertifikatë vaksinimi (në rast se i kanë kryer të dy vaksinat dhe kanë kaluar 14 ditë nga marrja e dozës së fundit) nga autoritetet shtetërore në gjuhën angleze, të kenë plotësuar PFL. Për ata udhëtarë të cilët nuk kanë marrë asnjë nga dozat e vaksinës do të duhet që pajisen me një test RT-PCR ose RAPID TEST të kryer 48 orë përpara udhëtimit ose një vëtetim se personi e ka kaluar sëmundjen e Covid, nëpërmjet një PCR ose RAPID test të 2 deri 9 muajve më parë.
Shfaqja dhe konfirmimi i variantit të ri të Covid-19, Delta, transmetushmëria e të cilit është më i lartë ka bërë që në palën greke të ashpërsohen kontrollet për çdo udhëtar që hyn drejt shtetit helen.