Të paktën dy afganë që kanë mbërritur në SHBA gjatë misioneve të evakuimit nga Kabuli do të transferohen në Kosovë pas dyshimeve të ngritura se ata mund të jenë eksponentë të grupeve terroriste ekstremiste.
Lajmi njoftohet nga media amerikane NBC. Duke cituar burime, kjo media shkruan se pas strehimit në Kosovë, afganët e dyshuar do t’i nënshtrohen një rishikimi të mëtejshëm.
NBC thotë se zyrtarët federalë po veprojnë me shumë kujdes dhe vetëm për shkak se një person është duke u hetuar nuk do të thotë se ata janë terroristë, ose përbëjnë një kërcënim. Dyshimet e autoriteteve amerikane lidhen me emrat, prejardhjen, kontaktet në telefon, ose rretet sociale, që konsiderohen si “shqetësime të mjaftueshme për sigurinë”.
“U vendosën shumë njerëz për një kohë të shkurtër dhe inteligjenca ka punuar shumë për të vlerësuar nëse ndonjë prej tyre paraqet kërcënim. Ne nuk do të lejojmë që këta persona të dalin lirisht në komunitet pa garantuar që ata janë të sigurt”, citohet një zëdhënës federal i SHBA.
Në SHBA janë më shumë se 30 mijë refugjatë afganë, ku për 10 mijë prej tyre kanë nisur verifikimet shtesë duke filluar prej ditës së premte. Autoritetet amerikane dyshojnë se në këtë kategori mund të kenë infiltruar terroristë që kanë gënjyer më herët për identitetin e tyre, apo kanë falsifikuar dokumentacionet.
Autoritetet amerikane thonë se po punojnë me aleatët për të zhvendosur këtë kategori refugjatësh, deri në verifikimin e plotë të të dhënave të tyre.
(E.H/Faxweb.al)