Teksa po diskutohet lidhur me sigurinë rrugore, dhe me aksidentet në vendin tonë, replika të forta janë shënuar mes ekspertit Demir Osmani dhe ministres Belinda Balluku.
Osmani u shpreh se patentat merren në mënyrë korruptive, dhe kjo duhet të jetë një situatë që duhet të ndryshojë sa më parë, pasi ndikon direkt edhe në numrin e lartë të aksidenteve.
“Ka korrupsion të madh me lejet e drejtimit, patenta merret në mënyrë korruptive, këtë e dinë të gjithë”, u shpreh Osmani, ku nuk mungoi as replika e Ballukut, e cila tha: Ju keni qenë drejtor s’mund të flisni kështu!
Menjëherë pas këtij komenti ka reaguar dhe Bledi Gonxhe, kreu aktual i DPSHTRR, i cili tha se nën drejtimin e tij sistemi i dhënies së patentave ka pësuar ndryshime rrënjësore.
“Nuk e di në emër të kujt flet zoti Osmani, testimet për patentën janë rishikuar. Trashëguam një sistem primitive. Kjo ideja për autoshkollat perfekte, nuk qëndron. Kemi bërë poligonet e para në qytetet kryesore”, u shpreh Gonxhe.
Ndërkohë që nuk mungoi as ndërhyrja e Sandër Lleshajt, i cili tha se për këtë tryezë ishin shpenzuar para, dhe situata nuk mund të kalonte në debate personale mes pjesëmarrësve. Lleshaj tha se rëndësi për secilin që ishte pjesë e kësaj tryeze duhet të ishte jeta e çdo qytetari.
Pavarësisht insistimit të Osmanit për të rimarrë fjalën, Lleshaj nuk pranoi dhe diskutimet kaluan tek përfaqësuesit e kompanive të sigurimit të mjeteve.
(E.K/Faxweb.al)