Ardian Xhaferi i njohur ndryshe si ‘‘The mike’’, anëtar i grupit muzikor ‘‘E7’’ ka pranuar fajësinë se më 2012 e kishte gjuajtur për ta vrarë Burim Osmanin, i njohur ndryshe si ‘DUDA’. Aktgjykimi është paralajmëruar se do të shpallet të martën e ardhshme, më 7 shtator.
Pranimi i fajësisë nga Xhaferi, për tentim-vrasje dhe armëmbajtje pa leje, u bë të premten përpara trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Ai akuzohet nga prokuroria se ne qershor të vitit 2012 me revolen e tij ka shtënë në drejtim të pandehurit Burim Osmani por nuk ka arritur ta godasë dhe vepra penale mbetet në tenativë, si dhe mbajtje në pronësi, në kontroll në posedim ose shfrytëzim të pa autorizuar të armëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fillim të seancës gjyqësore, prokurori i shtetit ka propozuar rikualifikimimn e veprës penale nga vrasja e rëndë në tentativë, në vrasje të rëndomtë në tenativë duke u bazuar në udhëzimet e Gjykatës së Apelit, ku lënda ishte kthyer edhe në rigjykim.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Agron Uka, i pandehuri ka pranuar fajësinë dhe është deklaruar që e ndien veten fajtorë për veprat penale për të cilat ngarkohet nga prokuroria.
Pas konsultimeve me anëtarët e trupit gjykues, kryetari i trupit gjykues Islam Thaqi ka aprovuar pranimin e fajësisë që ëshë bërë nga i akuzuari në konsultim me mbrotësinë e tij.
Tutje, prokurori i shtetit ka deklaruar që me rastin e matjes së dënimit i ka propozuar gjykatës të marren parasysh të gjitha rrethanat në mënyrë që dënimi të jetë i arsyeshëm.
Po ashtu mbajtësi i të akuzuarit, avokat Ilmi Qerimi ka thënë që me rastin e matjes dhe shqiptimit të dënimit të merren parasysh rrethanat që shkojnë në favor të të akuzuarit, duke potencuar se me rastin e pranimit të fajësisë i akuzuari është penduar për veprën penale.
Sipas prokurorisë 15.06.2012, në lagjen “Dardania I” rruga e IV, me dashje dhe paramendim ka tentuar ta privojë nga jeta të pandehurin Burim Osmanin, ashtu që me revolen e tij ka shtënë në drejtim të pandehurit Burim Osmani por nuk ka arritur ta godas dhe vepra penale mbetet në tentativë, duke u arratisur nga vendi i ngjarjes.
I pandehuri akuzohet për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 4 lidhur me nenin 20 të KPK-së si dhe “mbajtje në pronësi, në kontroll në posedim ose shfrytëzim të pa autorizuar të armëve” nga neni 328 paragrafi 2 të KPK-së.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Xhaferi ka të kaluar kriminale me 20 dënime të shqiptuara dhe me deklarime publike ku mburret për veprimet që i ka bërë.
(E.H/Faxweb.al)