Që teknologjia po bën hapa gjiganti, kjo është e dukshme. Por shumë projekte dhe aplikacione të reja ende nuk mund t’i imagjinojmë, teksa ekspertët e fushës jo vetëm po i testojnë, por së shpejti do t ‘i vejnë në funksion.
Një nga drejtimet që do të na japë më kënaqësi në të ardhmen do të jetë padyshim shfrytëzimi i inteligjencës artificiale. Mënyra e studimit, mënyra e të kërkuarit ose të blerit diçka në rrjet, do të thjeshtësohet dhe të shkojë njëkohësisht më thellë në kuptim.
Por ndoshta përdorimi që do të ndryshojë përgjithmonë komunikimin në shkallë globale, do të jetë ai i përkthimeve në një gjuhë tjetër. Deri metani, skema e përkthimeve ka qenë gjithmonë një mekanizëm ku makina përkthente regjistrimin me zë, e përkthente dhe më pas përdorte një aplikacion që e sintetizonte tekstin e përkthyer në zë.
Së shpejti kjo teknologji do të shndërrohet në një sistem “voice to voice”, ku për shembull dikush mund të flasë në telefon në gjuhën shqipe, ndërsa në kohë reale personit nga ana tjetër e telefonit i arrin zëri në gjuhën e tij, qoftë ajo anglisht, persisht apo një dialekt afrikan.
Është pikërisht një nga fushat me të cilën po merret një pjesë e gjigandit Intel, që po eksperimenton një chip që mund të veprojë në këtë mënyrë. Por nuk është i vetmi. Tashmë tregu i Inteligjencës Artificiale po rritet me ritme dyshifrore, dhe në 2025-ën do të tejkalojë 91 miliardë dollarë investime. E ardhmja është më afër se çfarë mendojmë.