Avokati Altin Goxhaj, pjesë e frontit për shpëtimin e Shqipërisë, ka dhënë detaje në Fax News, nga protesta kombëtare e datës 7 Korrik. Goxhaj u shpreh se në ndryshim nga protestat që janë mbajtur më herët, kjo e datës 7 Korrik do të jetë për të vrarë frikën e qytetarëve nga qeveria, ndërkohë që iu përgjigj edhe kritikave për bashkëpunimin me Berishën.
Goxhaj tha se ndryshimi i qeverisë bëhet përmes zgjedhjeve, dhe pa pasur bashkëpunim me politikën kjo është e pamundur, për shkak se duhen numra. Motot kryesore të protestës sipas tij do të jenë ato kundra qeverisë së Edi Ramës, Erion Velisë, dhe për shpalljen non grata të George Soros.
“Deri tani protestat kanë qenë të kontrolluara, deri në 7 Korrik populli ka frikë qeverinë, nga data 7 qeveria do të ketë frikë nga populli. Në datën 7 Korrik ne duam që të jetë një start të ri, çdokush duhet ta dijë që jemi të gjithë bashkë, ka pasur disa takime historike të shoqërisë civile, ku nuk kanë qenë të pranishëm ata që marrin projekte.
Rasti i Ballkanit të Hapur, përjashtimi i diasporës janë çështje kombëtare. Tashmë jemi në fazën e aksionit, në datën 7 nuk do të ketë më biznes me kauzat e popullit, një politikan mund të tradhëtojë, të gjithë bashkë nuk mund ta bëjnë këtë. Në këtë rast objektivat politike të Sali Berishës përputhen me atë të interesit publik.
Protesta e çmimeve, ishte protesta e njerëzve të Sorosit, që nuk kishte asnjë qëllim tjetër veçse të favorizonte bizneset e mëdhenj. Ju keni tradhëtuar veten na thonë, jeni me Sali Berishën tani. Dhe pyetja që unë bëj është: a ka burrë nëne se mund të rrëzojë këtë regjim nëse nuk ka njerëz?
Në këtë vend duhet të vrasësh frikën, ne nuk futemi dot në zgjedhje, për shkak se na duhen firmat, nuk ke shans të futesh në zgjedhjet lokale, në rast se nuk ke deputetë në Kuvend, pasi të duhen 46 mijë firma.
Ne kemi shumicën e drejtuesve në PD që janë kundër nesh, kundër frontit, i vetmi person që e ka ndarë mendjen për të bërë diçka është Sali Berisha“, tha Goxhaj.
(E.K/Faxweb.al)